Përurohet shkolla e re në Klinë të Epërme
Skënderaj, 14 tetor - Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi së bashku me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja dhe bashkëpunëtorë të tjerë, kanë përuruar sot shkollën e re fillore dhe mesme të ulët Idriz Barani në Klinë të Epërme të Skënderajt.
Kryeministri Thaçi, me këtë rast, përmendi shkollën e vjetër që ekzistonte në këtë fshat dhe tha se sot e kemi objektin më modern të nivelit të shkollave të Kosovës.
Kjo shkollë e re ndan dy epoka, epokën e së kaluarës dhe epokën e sotme dhe të së ardhmes. Të jeni të sigurt se ne do të jemi me ju çdo herë, tha kryeministri i Kosovës.
Kryeministri Thaçi dhe ministri Buja, pas përurimit të shkollës së re, vizituan edhe disa hapësira të kësaj shkolle, me çrast edhe ministri Buja u shpreh i gëzuar që gjendet në një shkollë kaq moderne që në këtë trevë, por edhe në arsimin kosovar në përgjithësi, do të ndihmojë në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Objekti ka sipërfaqen neto rreth 5 mijë metër katrorë, ndërsa kostoja e ndërtimit të kësaj shkolle dhe rregullimit të infrastrukturës së saj (oborrit) është mbi 1 milion e 800 mijë euro.
Objekti shkollor ka në përbërje: 3 dhoma mësimi për nxënësit parafillor, 15 dhoma mësimi për nxënësit fillor, biblioteka, kabineti i kimisë, kabineti i fizikës, kabineti i biologjisë, kabineti i informatikës, kabineti i artit, kabineti i muzikës, kabineti i gjuhëve të huaja, 3 kabinete të Arsimtarëve, dhoma e psikologut, dhoma e pritjes së prindërve, kuzhina doracake, salla e Arsimtarëve, drejtoria, sekretaria, arkivi dhe depo.
MAShT poashtu ka pajisur këtë shkollë me inventarin e nevojshëm.