Përurohet shkolla e re e Suhadollit në veri të Mitrovicës
Mitrovicë, 17 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), Enver Hoxhaj, ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi dhe kryetari i komunës, Avni Kastrati, kanë përuruar të premten shkollën e re në Suhadoll në veri të Mitrovicës.
Ministri Hoxhaj ka thënë se kjo shkollë e re në këtë mjedis ku asnjëherë më parë nuk ka pasur shkollë është një hap dhe një garanci tjetër se Qeveria e Kosovës është duke shtrirë autoritetin në çdo cep të vendit. Në këtë shkollë do të mësojnë nxënës nga Suhadolli, Kroi i Vitakut dhe Lagja e Doktorëve, ku është duke vazhduar procesi i rindërtimit dhe ku janë kthyer shumë familje për të jetuar si shenjë e jetës së re në këtë pjesë të Kosovës.
Ai ka thënë se kjo shkollë i jep kuptim jetës së banorëve të kësaj ane, mandej krijon mundësi për nxënie të njohurie të reja dhe është edhe një dëshmi për realizimin e qëllimit madhor për një shtet të dijes. Kjo shkollë në këtë vend është tek e fundit një simbolikë për shtetin e Kosovës, tha ai.
Në anën tjetër, drejtori i Drejtorisë së Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ali Bejta, theksoi se nxënësit e këtyre tri lagjeve të Mitrovicës, nuk do të kenë nevojë më që të udhëtojnë për në shkollat tjera të qytetit. Komuna e Mitrovicës me ndihmën e MASHT-it e ka sjellur shkollën tek nxënësit.
Ai sqaroi se në këtë objekt shkollor që funksionon në kuadër të shkollës fillore Aziz Sylejmani mësojnë rreth 100 nxënës, duke filluar prej klasës së parë deri në klasën e nëntë. Drejtori Bejta sqaroi se tashmë janë tejkaluar hezitimet e disa prej banorëve që ti dërgojnë fëmijët në këtë shkollë, meqë ishin mësuar që zakonisht fëmijët e tyre të shkojnë nëpër shkolla të ndryshme të qytetit.
Ai tregoi se për realizimin e projektit për ndërtimin e kësaj shkolle mjetet i ka ndarë MASHT-i në shumë prej rreth 200 mijë eurosh. Bejta gjithashtu theksoi se në gjithë komunën janë duke vazhduar investimet për krijimin e kushteve më të mira për punë. Në këtë kontekst përmendi meremetimet e shkollave, ndërtimin e anekseve, mandej objekteve të reja etj.
Drejtori Bejta tha se gjatë dy viteve të fundit me ndihmën e MASHT-it janë ndërtuar katër shkolla të reja fillore; në Shipol, Zhabar, Kodër dhe Suhadoll si dhe shkolla e mesme teknike në qytet, mandej pesë anekse shkollore që bashkëfinancohen nga komuna dhe USAID-i, ndërsa në ndërtim është shkolla e mjekësisë që financohet nga MASHT-i.