Përurohet objekti i shkollës së mesme në Prishtinë
Prishtinë, 22 maj - Ministri i Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka përuruar objektin e shkollës së mesme (gjimnazin matematikor), në lagjen Kalabria të Prishtinës.
Ministri Buja tha se, përurimi i këtij objekti shkollor është i veqantë, sepse edhe shkolla do të jetë e dalluar, për faktin se do të jetë një shkollë elitare, një shkollë që do grumbullojë nxënës jo vetëm nga komuna e Prishtinës, por edhe nga tërë Kosova, e ndoshta edhe më gjerë.
Shkolla do të grumbullojë nxënësit nga më të mirët që janë në Kosovë, ndërsa do të angazhohemi që të bëjmë edhe përzgjedhjen e kuadrit nga më të mirët që kemi, tha ministri Buja, ndërsa shprehu besimin e tij se, nga kjo hapësirë shkollore do të dalin nxënës që dëshirojmë ti kemi, të cilët pastaj do të avancojnë dijen e tyre në nivele tjera të arsimit.
Ministri Buja përmendi edhe faktin se, për ndërtimin e kësaj shkolle, MAShT ka investuar 2.174.683.54 euro, ndërsa inventari për këtë shkollë ka kushtuar mbi 50 mijë euro.
Hapësira e ndërtimit të objektit shkollor me sipërfaqe bruto është 6,318.90 m2 me Sallë te Edukatës Fizike, si dhe terrenet e jashtme sportive, hapësirat gjelbëruese, etj.
Objekti shkollor përmbanë këto kthina: 20 dhoma të mësimit, 8 kabinete, 4 laboratorë, sallën e arsimtarëve, kthinat administrative, kthina e bibliotekës me leximore, khina e psikologut, kthina e mjekut të shkollës, kthina të personelit, bufeja e shkollës, si dhe hapësira tjera përcjellëse.
Fjalë përuruese për shkollën e re, me këtë rast, mbajti edhe drejtori i Drejtorisë Komunale të Arsimit në Prishtinë, z. Isuf Thaçi.