Përurohet objekti i shkollës Musa Hoti
Mitrovicë, 9 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Ramë Buja, ka marrë pjesë në ceremoninë inauguruese të objektit të renovuar të shkollës Musa Hoti në Mitrovicë, ku ka marrë pjesë edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, znj.Tracey Ann Jacobson.
Ministri Buja me këtë rast ka theksuar se Qeveria amerikane përmes Komandës së Ushtrisë Amerikane për Evropë kanë qenë investitorët e këtij projekti kapital në fushën e infrastrukturës.
Ministri Buja tha se qëllimi i këtyre projekteve është përmirësimi dhe ofrimi i kushteve më të mira në ndërtesat shkollore dhe ngritja e cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie.
Ministri Buja ka vlerësuar lartë ndihmën e Qeverisë amerikane në fushën e arsimit, ndërkaq ka porositur nxënësit që të mësojnë dhe ta nderojnë emrin e heroit Musa Hoti.
Ndërsa, ambasadorja Jakobson tha se ky projekt është shumë i rëndësishëm në fushën e arsimit dhe kap vlerën prej 530 mijë dollarë.
Jakobson tha se arsimi është e ardhmja e një vendi, andaj Qeveria amerikane gjithnjë ka qenë e gatshme në ofrimin e bashkëpunimit, në mënyrë që të krijohen kushte më të mira për nxënësit dhe mësimdhënësit.