Përurohet objekti i ri i shkollës Hoxhë Kadri Prishtina
Prishtinë, 20 nëntor - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja së bashku me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Isa Mustafa kanë përuruar sot objektin e ri të shkollës së mesme ekonomike juridike Hoxhë Kadri Prishtina në kryeqytet.
Ministri Buja uroi nxënësit dhe arsimtarët e shkollës për objektin e ri, i cili siguron kushte shumë më të mira për mësimdhënie dhe mësimnxënie. Po përurojmë një shkollë kaq të mirë, e cila do ta realizojë synimin tonë të përbashkët, që të rrisim cilësinë, sepse është e natyrshme që ambienti i mirë patjetër ndikon në disponimin e mirë të arsimtarëve dhe nxënësve dhe kjo realizohet pa pikë vështirësie, theksoi ministri Buja.
Është edhe një rast shumë i mirë, theksoi ministri, që këtë shkollë e përurojmë me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë dhe ky është gëzim i veçantë.
Ne na gëzon çdo hap që bëjmë në drejtim të arsimit, çdo ndërtesë shkollore që bëjmë për të ecur përpara dhe nuk ka njeri me mendje të shëndoshë, i çfarëdo grupacioni që është, politik, konfesional e shoqëror, që nuk e dëshiron ecjen në arsim. Andaj, ne po bëjmë hapa serioz, theksoi ministri Buja dhe përgëzoi Komunën e Prishtinës për ndërtimin e kësaj shkolle, ndërsa nxënësit dhe mësimdhënësit i porositi ta nderojnë dhe ta ruajnë.
Edhe kryetari i Komunës së Prishtinës Isa Mustafa, tha se synojnë investimin në arsim për të ngritur cilësi dhe krijuar kushte të mira për nxënësit. Shkollën ekonomike e financuam, sepse konsiderojmë që duhet të krijuar kushte shumë më të mira për ju. Një financim prej 1 milion e 399 mijë euro, por parat janë shumë pak në krahasim me vlerat që do të arrijmë dhe uroj që kjo shkollë të jep një impuls për suksese më të mira, tha kryetari Mustafa.
Edhe drejtori i shkollës, Jahë Sahiti theksoi rëndësinë që ka ky objekt shkollor për nxënësit e mësimdhënësit, por edhe për komunën e Prishtinës në tërësi.
Kjo shkollë posedon 21 dhoma mësimi, 7 firma ushtrimore, 4 kabinete të teknologjisë dhe gjuhëve të juaja, 5 zyre administrative, bibliotekën, sallën edukative dhe hapësira të tjera që gjenden në shkollë. Në këtë shkollë ndjekin mësimet rreth 2 mijë nxënës, ndërsa aty do të ndjekin mësimet edhe nxënës me aftësi të kufizuar.