Përurohet objekti i ri i gjimnazit Zenel Hajdini në Gjilan
Prishtinë, 25 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, ka përuruar sot objektin e ri të gjimnazit Zenel Hajdini në Gjilan.
Me këtë rast, ministri Buja theksoi se Qeveria e Kosovës do të vazhdojë të ndërtojë objekte të mrekullueshme, siç është edhe objekti i shkollës që u përurua.
Ai tha se mësimdhënësit e kësaj shkolle, sikur edhe të shkollave tjera, e dinë më së miri se një ambient i mirë, që përmbush nevojat e mësimdhënies është shumë i rëndësishëm për punën e tyre.
Ministri Buja theksoi se ky objekt e shton disponimin e mësimdhënësve, por edhe të nxënësve, për të ngritur edhe më tutje cilësinë në arsim.
Ministri i Arsimit tha se qeveritë e shteteve të zhvilluara, e kanë prioritet arsimin dhe investojnë shumë në arsim. Prandaj, ai theksoi se edhe Qeveria e Kosovës po e bën këtë gjë dhe do të vazhdojë ta bëjë, në mënyrë që të kemi një arsim sa më cilësor për fëmijët dhe të rinjtë tanë.
Ministri Buja përmendi edhe investimin që është bërë në këtë objekt shkollor e që kap shifrën 1.697.458,63 euro. Por, ai tha se ky nuk është fundi i investimeve në infrastrukturën shkollore dhe se edhe Gjilani, por edhe komunat tjera do të kenë objekte të reja shkollore në të ardhmen.
Në fund, ministri Buja përmendi edhe faktin se tashmë Gjilani është qytet universitar dhe paralajmëroi se inaugurimi i Universitetit të Gjilanit do të bëhet më 1 tetor, kur edhe fillon viti i ri akademik.
Të pranishmit i përshëndeti edhe kryetari i Komunës së Gjilanit, Qemajl Mustafa, i cili theksoi se me ndërtimin e këtij objekti shkollor, gjimnazi do të zhvillojë mësimin me dy ndërrime, ndërkaq theksoi se objekti i plotëson kriteret për mësimdhënie dhe mësimnxënie të standardeve bashkëkohore.
Objekti shkollor ka sipërfaqe bruto prej 6,320m² dhe përmban këto kthina: 20 dhoma mësimi, biblioteka me leximore, laboratori i kimisë, laboratori i fizikës, laboratori i biologjisë, kabineti i informatikës, kabineti i artit, kabineti i muzikës, kabineti i gjuhëve të huaja, hapësira për shumë qëllime, dhoma e psikologut, dhoma e pritjes së prindërve, kuzhina doracake, sallën e arsimtarëve, kthinat për administratën.
MASHT, po ashtu ka pajisur shkollën me inventarin e nevojshëm shkollor.