Përurohet konvikti nr.VII në Qendrën e Studentëve
Prishtinë, 17 janar - Në Qendrën e Studentëve të Universitetit të Prishtinës, me një ceremoni solemne është përuruar sot konvikti nr. VII. Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja, drejtori i Qendrës së Studentëve të Universitetit të Prishtinës, Fatmir Sfishta dhe drejtoresha për Infrastrukturë në MASHT, Fadile Dyla kanë bërë përurimin e këtij konvikti shumë modern, i cili është investim i Ministrisë së Arsimit dhe do ta gëzojnë mbi 400 studentë të UP-së.
Me këtë rast, ministri i Arsimit, Ramë Buja shprehu kënaqësinë e tij që po shënohet kjo ngjarje dhe atë në këtë ditë të mirë dhe të pazakonshme të janarit, në janarin që ka ditur të na përvëlojë keq dhe sot jo rastësisht caktuam përurimin e konviktit më 17 janar në ditëvdekjen e Skënderbeut, por edhe ditën e rënies heroike dhe burrërore të Jusuf e Bardhosh Gërvallës e Kadri Zekës.
Është mrekulli nëse ato ndezje që na iu bënë zemrës, trupit e shpirtit tonë, ti bëjmë në një flakadan të tillë siç është ky konvikt studentor për tu mundësuar studentëve tanë, atyre që janë e ardhmja e Kosovës që të jenë më komod në qëndrimin e tyre dhe hapësirat për studim, tha ministri Buja.
Ai theksoi se jo rastësisht se ata që kanë investuar në dituri kanë investuar në ardhmërinë e tyre dhe këtë ne po e bëjmë, sepse jemi të ndërgjegjshëm dhe të vetëdijshëm se kapitali më i madh është rinia, sepse ky popull që është i mrekullueshëm, mosha e tij mesatare nuk kalon mbi 25 vjet.
Ministri theksoi se kjo është pasuri e jona dhe ne përpiqemi që këtë pasuri ta menaxhojmë, për të qenë më kreativ dhe studiues të mirë, si dhe punëtorë të mirë të nesërmen.
Unë me ndjenjën më fisnike uroj nga zemra që ta gëzoni këtë konvikt, ta ruani dhe shfrytëzoni si është më së miri dhe nuk do të ndalemi me shtatë, iu premtoj, tha ministri Buja.
Ndërsa, drejtori i Qendrës së Studentëve, Fatmir Sfishta theksoi faktin se kjo Qendër para pak vitesh përballej me mungesë të kushteve elementare siq është uji, rryma, ngrohja etj.
Tani për më pak se tri vite kjo Qendër i ka tejkaluar problemet e lartëcekura si dhe ka zbutur në masë të madhe edhe nevojat akomoduese për studentë duke ndërtuar dy konvikte moderne me më shumë se 850 shtretër, me hapësira tjera përcjellëse si bibloteka, salla leximi, salla interneti etj, tha ai dhe theksoi se të gjitha këto nuk do të kishin ndodhur pa përkrahjen e Qeverisë së Republikës së Kosovës, por edhe pa përkrahjen e parezervë të ministrit Ramë Buja.
Mirëpo, duke qenë të vetëdijshëm që këto kapacitete nuk i plotësojnë kërkesat në rritje të studentëve për akomodim, Qendra e Studentëve ka nevojë edhe më tej për përkrahje në rritjen e kapaciteteve të saj, andaj shpresojmë dhe besojmë që përkrahja nga Qeveria e Kosovës në përgjithësi dhe Ministria e Arsimit në veqanti, do të vazhdojë edhe në të ardhmen në ngritjen e kapaciteteve infrastrukturore këtu, tha drejtori Sfishta.
Sipërfaqja totale e objektit është: 8,050 m². Objekti përmban këto hapësira: 189 dhoma për qëndrimin e studentëve së bashku me paradhomat dhe banjot, 18 dhoma për qëndrimin e profesorëve së bashku me paradhomat dhe banjot, 5 hapësira për kuzhinë doracake, 2 salla leximi, 1 sallë për takime, 1 hapësirë për shumë qëllime. Konvikti përmban edhe hapësirat e nevojshme për mirëmbajtje, korridoret, deponitë, nënstacionet etj.