23 Dhjetor 2024

Përurohet gjimnazi “Eqrem Çabej” në Vushtrri

Prishtinë, 9 shtator - Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja me bashkëpunëtorë dhe kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Bajram Mulaku kanë përuruar sot objektin e ri të gjimnazit “Eqrem Çabej” në Vushtrri.

Ministri i Arsimit, Ramë Buja, me këtë rast ka vlerësuar lartë punën e mësimdhënësve ndër vite, në arsimimin e brezave të tërë dhe punën e vazhdueshme të Ministrisë së Arsimit në rikualifikimin e mësimdhënësve me Shkolla të Larta Pedagogjike dhe reformimin e Fakultetit të Edukimit.

“Nuk do të kemi më mësues me shkolla të larta. Do t’i kemi të gjithë me fakultet të përfunduar. Nuk ka mësues që është i interesuar dhe nuk arrin të përvetësojë teknologjinë informative të shekullit  21. Kemi bërë transformim të Fakultetit të Edukimit dhe ky fakultet do të nxjerrë pas pesë vitesh mësuesin e shekullit 21”, është shprehur ministri Buja.

Duke folur për bashkëpunimin e mirë ndërinstitucional në ndërtimin e kësaj shkolle, ministri Buja ka ripërsëritur se, mbi 100 shkolla të ndërtuara në Kosovë brenda pak viteve, dhe 22 të tjera në ndërtim, do ta zbusin, mbase edhe do e eliminojnë në tërësi mungesën e hapësirave shkollore.

Ndërsa, kryetari i Vushtrrisë, Bajram Mulaku ka theksuar se përurimi i këtij objekti është i një rëndësie të veçantë, për faktin se ky gjimnaz ndër vite ka treguar rezultate të sukseshme në punë.

Mulaku, poashtu, ka theksuar se prioritet i punës së tij ka qenë ngritja e cilësisë, shkollimi i mirëfilltë dhe kualiteti në mësim.

Objekti me sipërfaqe 6,300 m² dhe kosto mbi 2 milion euro përmban këto hapësira: 20 dhoma mësimi për nxënësit fillor, biblioteka, laboratori i kimisë, laboratori i fizikës, laboratori i biologjisë, kabineti i informatikës, kabineti i artit, kabineti i muzikës, kabineti i gjuhëve te huaja, hapësira për shumë qëllime, dhoma e mjekut, dhoma e psikologut, dhoma e pritjes se prindërve, kuzhina doracake, salla e arsimtarëve, drejtoria me sekretari, nxemja qendrore me depon për lëndë djegëse, salla e edukatës fizike dhe terrenet e jashtme sportive.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)