Përmbyllet fushata vetëdijesuese për arsimin gjithëpërfshirës
Prishtinë, 30 tetor - Përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), Ambasada e Italisë në Kosovë, organizata Save dhe Children, Handikos dhe institucione gjithëpërfshirëse të arsimit parashkollor dhe shkollor, morën pjesë në ceremoninë përmbyllëse të fushatës së përbashkët trejavore, e cila me qëllim të vetëdijesimit mbi të drejtën e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore, respektivisht arsimin gjithëpërfshirës.
Këshilltari i Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Azem Guri, me këtë rast ka theksuar se, politika e MAShT-it bazohet në dokumentet ndërkombëtare për arsimin gjithëpërfshirës, drejt institucioneve të cilat i shikojnë pozitivisht dallimet mes njerëzve, përkrahin të mësuarit dhe i përgjigjen nevojave institucionale.
Arsimi është thelbësor në luftën kundër varfërisë, mbrojtjen e fëmijëve nga punët e rrezikshme dhe shfrytëzueze, promovimin e të drejtave të njeriut dhe demokracisë, mbrojtjen e mjedisit dhe arsimit gjithëpërfshirës. Politika e MAShT-it është barazi e mundësive për fëmijët me nevoja të veçanta dhe të rriturit në mjedise të integruara, është shprehur këshilltari Guri.
Ndër të tjera, z. Guri përmendi fuqizimin e kapaciteteve të mësimdhënësve, krijimin e 40 shkollave dhe institucioneve parashkollore dhe shkollore gjithëpërfshirëse, hartimin dhe botimin e dokumenteve, broshurave dhe doracakëve mbi arsimin gjithëpërfshirës, organizimin e konferencave kombëtare dhe ndërkombëtare, hartimin dhe botimin e një kurrikule gjithëpërfshirëse, zbatimin efektiv dhe forcimin e mjeteve legjislative dhe të politikave, zhvillimin e Strategjisë Kombëtare të Arsimit Gjithëpërfshirës, përkthimin dhe përshtatjen e Indeksit për Arsimin Gjithëpërfshirës, etj.
Ambasadori i Italisë në Kosovë , z. Andreas Ferrares vlerësoi lartë punën e institucioneve të arsimit në Kosovë dhe rëndësinë që po i japin arsimit gjithëpërfshirës. Ai foli edhe për institucionin parashkollor Integj, i cili është një shembull i mirë i integrimit të fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore.
Drejtori i organizatës Save dhe Children për Kosovë, z. Ahmet Kryeziu foli për punën e organiztës në avancimin dhe krijimin e legjislacionit dhe politikave, të cilat do të inkorporojnë praktikat gjithëpërfshirëse dhe mekanizmat e përshtatshëm financiar për arritjen e ndryshimeve pozitive afatgjata për të gjithë fëmijët.
Drejtori i organizatës Handikos, z. Bexhet Binaku, tha se kjo organizatë në rrugëtimin e saj, rëndësi të veçantë i ka kushtuar komponentës së edukumit dhe arsimimit të personave me nevoja të veçanta në ambiente gjithëpërfshirëse, çka është edhe qëllimi thelbësor i kësaj fushate.
Aktorja e njohur Yllka Gashi, e cila është edhe ambasore e Save the Children për fëmijët me nevoja të veçanta tha: Nga ky rrugëtim jo i gjatë, kam mësuar gjëra tepër të rëndësishmë, por mbi të gjitha kam njohur prindër, forca dhe dashuria e pakusht e të cilëve më ka bërë përshtypje të jashtëzakonshme.