27 Dhjetor 2024

Përmbyllet Forumi i studentëve dhe të rinjve nga diaspora

Tiranë, 6 gusht – Forumi i rrjeteve të studentëve dhe të rinjve të diasporës, mekanizma këto të iniciuara nga Ministria e Diasporës që janë formuar në përpjekje për të bërë organizimin sa më të mirë të diasporës dhe thellimin e bashkëpunimit, ka përfunduar punimet.

Njëzet pjesëmarrësit nga vende të ndryshme të Evropës, kanë arritur të nxjerrin një draft platformë e cila do të shërbejë për punën e mëtutjeshme të rrjeteve deri në krijimin e Unionit.

Përpos në Prishtinë, ku edhe u përmbyllën këto punime, pjesëmarrësit me organizim të Ministrisë së Diasporës, udhëtuan edhe në Tiranë, për tu njohur për së afërmi me krerët e institucioneve të Republikës së Shqipërisë, si dhe për marrë inputin e tyre lidhur me bashkëpunimin institucional në të ardhmen.

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Niko Peleshi, ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro, përfaqësues të Ministrisë së Arsimit, ministri Murati me bashkëpunëtorët e tij, ambasadori i Kosovës në Shqipëri, si dhe përfaqësues të rrjetit Asan përgëzuan iniciativën, duke u shprehur të gatshëm që të bashkëpunim ta ngritin në nivel akoma më të lartë.

“E përgëzoj këtë iniciativë të Ministrisë së Diasporës. Sot Shqipëria e Kosova kanë nevojë për një kategori të njerëzve, të rinjve, të cilët përmes aktiviteteve kërkojnë ta sfidojnë vetveten, të arrijnë  ta transformojnë jetën e tyre, të familjeve e të shoqërisë e pse jo edhe tëvendeve. MPJ-ja është duke punuar për të ndërtuar një marrëdhënie me diasporën shqiptare, veçanërisht me diasporën e re. Roli i diasporës në vite  ka qenë shumë i rëndësishëm për ndërtimin e Shqipërisë”, tha Peleshi.

Ai porositi të rinjtë se vendi ka nevojë për dijet, aftësitë, për modelet e tyre të sukseseve.

Në anën tjetër, nikoqiri i takimit, Ministri i Diasporës, z. Valon Murati theksoi se diaspora është një dhe e pandarë, prandaj do të trajtohet si e tillë. Diaspora, nga një diasporë që ka ndihmuar për lirinë e vendit, po shndërrohet në një diasporë  që e ka gjetur vendin e vet aty ku jeton, po shndërrohet në një faktor politik. “Duhet të krijojmë kushte që këta të rinj të kthehen dhe të kontribuojnë për vendin etyre, të vijnë edhe si ekspertë, të punojnë në projekte të caktuara. Gjithashtu, duhet të mobilizohemi që të krijojmë raporte institucionale me ju”, tha ndër të tjera ministri Murati.


Mirela Kumbaro, ministre e Kulturës e Shqipërisë, theksoi se ”sot diasporën duhet ta kthejmë në një diasporë jo vetëm në interes të kombit, por edhe në interes të vendit ku jeton. Individët e suksesshëm, kudo ku jetojnë, modelin e suksesit mund ta sjellin në Kosovë ose Shqipëri”.

Në këtë forum morën pjesë  edhe përfaqësuesit e rrjetit As@n, një rrjet i studentëve shqiptarë në botë, i krijuar para 12 vjetësh. Përfaqësuesi i tij tha se ky rrjet është krijuar që të jetë një zë i përbashkët për ta ndihmuar njëri-tjetrin. Përfaqësuesit e këtij rrjeti folën për strukturën dhe punën e rrjetit. Ata premtuan se do ta mbështesin punën e Rrjetit të të rinjve nga diaspora, duke ofruar përvojën e tyre.

Në forum pati edhe pyetje lidhur me politikat integruese, për krijimin enjë draft-strategjie e të tjera,por pati edhe propozime si ai për krijimin enjë fondi bursash, që studentët të mund të ndihmohen për t’i zhvilluar kapacitetet e tyre, në mënyrë që në të ardhmen ta japin kontributin e tyre në shtetet shqiptare.

Të gjithë përfaqësuesit e institucioneve shtetërore të Shqipërisë dhe të atyre nga Kosova u premtuan anëtarëve të rrjetit të rinjve nga diaspora se do ta kenë mbështetjen tyre për çdo gjë që ata kanë nevojë.

Rrjeti i të rinjve nga diaspora u prit edhe nga sekretari i përgjithshëm i Ministrisë Punëve të Jashtme të Shqipërisë, z. Qirjako Qirko i cili i përgëzoi për punën në krijimin e rrjeteve të të rinjve në diasporë.
”Bashkëpunimi ndërmjet institucioneve shtetërore dhe rrjeteve të studentëve është një ide për t’u vlerësuar. Jam i emocionuar që shoh brezin e ri të shkolluar, pasi ju keni mundësi që të shikoni një realitet të ri. Ju garantoj se do ta keni mbështeten e institucioneve për t’i realizuar objektivat tuaja”, tha Qirko.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)