Përmbyllet edicioni i katërt i shkollës diplomatike për diplomatë të rinj
Prizren, 6 tetor - Ka përfunduar punimet konferenca e katërt e Shkollës Diplomatike për diplomatët e rinj me temën “Të drejtat e Njeriut dhe Demokracia”, ku kanë marrë pjesë edhe diplomatë të ri nga vende të ndryshme të botës.
Konferenca është organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe me mbështetje të Fondacionit gjerman Friedrich Ebert Stiftung.
Përgjatë pesë ditëve të konferencës, para diplomatëve të rinj kanë ligjëruar përfaqësues të lartë shtetëror, diplomatë të huaj, drejtues të akademive diplomatike të shteteve të ndryshme, etj.
Në konferencë është diskutuar për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, dinamikat e diplomacisë, temat e sigurisë globale, aspektet integruese euro-atlantike.
Me rastin e përmbylljes së konferencës, drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike, ambasadori Beqir Ismaili falënderoi pjesëmarrësit për bashkëpunimin dhe theksoi rëndësinë e këtij trajnimi në bashkimin e diplomatëve nga vende e ndryshme të botës.
Në fund, ambasadori Ismaili theksoi se një nga pasuritë më të mëdha të një shteti është një diplomat i suksesshëm.
Nga ana tjetër, Frank Hantke, drejtor i zyrës në Prishtinë të Friedrich Ebert Stiftung, ka vlerësuar se ky fondacion është i përkushtuar në proceset integruese, dialogun dhe bashkëpunimin rajonal, të cilat realizohen përmes partneritetit me institucionet e vendit dhe organizatat e shoqërisë civile, këtu bën pjesë edhe Shkolla Diplomatike.
Sipas tij, ky është një kontribut i rëndësishëm në zhvillimin e vazhdueshëm profesional të stafit diplomatik.
Në fund të konferencës, ambasadori Ismaili dhe drejtori i FES-it, Hantke ndanë certifikatat për pjesëmarrësit.