Përfundon pjesa e parë e afatit të parë të Maturës Shtetërore
Prishtinë, 1 qershor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) ka bërë të ditur se ka përfunduar me sukses pjesa e parë e afatit të parë të Maturës Shtetërore në të gjitha rajonet.
Maturantët e rajonit të Pejës dhe Mitrovicës kanë qenë të fundit që i janë nënshtruar testit të Maturës Shtetërore 2018 (pjesa e parë e afatit të parë), i cili këtë vit për herë të parë është mbajtur përgjatë katër ditëve në gjithë Kosovën.
Në ditën e fundit, pra në rajonin e Pejës dhe Mitrovicës, sipas raporteve nga terreni, procesi i testimit ka shkuar shumë mirë dhe sipas planifikimit. Ndërsa, gjatë kësaj dite, numri i nxënësve që u janë gjetur telefona mobil ka qenë shumë i vogël.
Gjatë katër ditëve të pjesës së parë të Testit të Maturës nuk është evidentuar ndonjë parregullsi që do të bënte testin të pavlershëm.
Pjesa e dytë e afatit të parë, do të mbahet me datat 5, 6, 7 dhe 8 qershor 2018.