Përfundoi punimet Shkolla Pranverore për Diplomatë të Rinj
Prizren, 13 maj - Ka përfunduar punimet edicioni i tretë i Shkollës Pranverore për Diplomatë të Rinj, me temë Sfidat e diplomacisë moderne, aktivitet ky i organizuar nga Akademia Diplomatike e Ministrisë së Punëve të Jashtme në bashkëpunim me fondacionin gjerman Friedrich Ebert.
Prioritetet e politikës së jashtme të Republikës së Kosovës janë prezantuar nga ministri në detyrë i Punëve të Jashtme Petrit Selimi, i cili ka folur edhe për rezultatet e deritashme si dhe orientimet strategjike për të ardhmen. Për integrimet euro-atlantike dhe dialogun Kosovë-Serbi ka folur ministrja për dialogun Edita Tahiri.
Për soft power, çështjet e të drejtave të njeriut dhe diplomacinë e shekullit 21 ka shpjeguar profesori nga Universiteti i Iowas, ambasadori Ronald K. McMullan.
Për integrimet evropiane ka ligjëruar profesori nga Akademia Evropiane në Berlin, Eckart Stratenschulte, ndërkaq për çështje të sigurisë dhe ekonomisë së rajonit të EJL-së kanë ligjëruar profesorët nga Qendra George C. Marshall, Dr. Mathew Rhodes si dhe Dr. Valbona Zeneli.
Për çështjet e energjisë ka ligjëruar eksperti nga Bullgaria, Slavtcho Neykov Ivanov. Ndërkaq për çështje të sigurisë dhe terrorizmit ka shpjeguar profesori nga Universiteti i Heidelbergut, Prof. Dr. Sebastian Harnisch.
Përvojat personale si diplomatë janë ndarë nga ambasadori gjerman në pension Hans Jochen-Schmidt, ish-ambasadori kosovar, tani gjykatës i Gjykatës Kushtetuese Bekim Sejdiu, si dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë Samuel Zbogar. Ky i fundit ka folur edhe për marrëdhëniet Kosovë BE, dialogun Kosovë-Serbi si dhe misionin e zbatimit të ligjit EULEX.
Veçanti e këtij edicioni është edhe tryeza e rrumbullakët e fokusuar në temën e Trajnimit diplomatik: prioritetet dhe sfidat me panelistë drejtorët e akademive diplomatike të rajonit.
Përkatësisht, drejtoresha e Institutit Diplomatik të Bullgarisë, Tanya Mihaylova, drejtori i Akademisë Diplomatike të Kroacisë, ambasadori Mladen Andrlic, drejtoresha e Akademisë Diplomatike të Malit të Zi, Satka Hajdarpasic si dhe drejtori i Akademisë së Diplomacisë së Turqisë, Mesut Ozcan.
Kjo tryezë është moderuar nga drejtori i përgjithshëm i Akademisë Diplomatike të Kosovës, ambasadori Skender Durmishi, i cili ka bërë edhe prezantimin e punës së Akademisë Diplomatike që nga themelimi i saj.
Gjatë kohëzgjatjes së seminarit pjesëmarrësit kanë shprehur pikëpamjet e tyre për sfidat e diplomacisë moderne në një diskutim të hapur.
Ndërkohë janë organizuar edhe prezantime për tema të ndryshme si dhe janë zhvilluar aktivitete kulturore në qytetin e Prizrenit, duke përfshirë vizitën në monumentet fetare të tri religjioneve, monumentet e karakterit historik, qytetin e vjetër të Prizrenit, si dhe kalanë.
Në këtë edicion, që ka filluar më 9 maj, përveç diplomatëve kosovarë dhe nga rajoni si Shqipëria, Maqedonia, Mali i Zi, Hungaria, Kroacia, Bullgaria, Turqia, kanë marrë pjesë edhe diplomatë nga Malta, Polonia, Kostarika, dhe Tajlanda.