Përfundoi punëtoria Ndryshimi përmes dizajnit
Prishtinë, 8 nëntor - Në kuadër të bashkëpunimit shumëvjeçar mes Fakultetit të Shkencave Aplikative të Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina në Ferizaj dhe Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Salzburg, sot u përmbyll me sukses punëtoria njëjavore me temë Ndryshimi përmes dizajnit.
Në këtë punëtori morën pjesë 16 studentë të Departamentit të Dizajnit në Interier dhe Teknologjisë së Drurit, të udhëhequr nga shefi i Departamentit dhe dy mësimdhënës të Fakultetit.
Qëllimi i kësaj punëtorie ishte që të analizonte problemet me të cilat ballafaqoheshin qytetarët e Ferizajt dhe ofronte ide për ti zgjidhur këto probleme.
Pas përfundimit të punëtorisë, puna e studentëve u prezantua para një ekipi të ekspertëve të udhëhequr nga prof. dr. Alexander Petutschnigg nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara të Salzburgut, prof. dr. Agron Bajraktari, prorektor për zhvillimin e cilësisë në Universitetin e Prishtinës dhe Ardian Ferizi, drejtor i Drejtorisë për Planifikim dhe Zhvillim të Komunës së Ferizajt, të cilët e vlerësuan lart punën e studentëve dhe të stafit akademik të Fakultetit.
Kjo punëtori është pjesë e një projekti, i cili, përveç kësaj punëtorie, do të përkrahë edhe mobilitetin e stafit akademik dhe të studentëve mes këtyre dy institucioneve, punën e përbashkët në hulumtime shkencore, si dhe organizimin e një konference ndërkombëtare në Kosovë.
E gjithë kjo u mundësua falë projektit HigherKOS, i financuar nga Qeveria e Kosovës, qëllimi i të cilit është promovimi i zhvillimit institucional në edukimin e lartë dhe hulumtime në Kosovë.