Përfshirja e nxënësve në protesta cenon të drejtat e fëmijëve

Prishtinë, 18 nëntor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë shpreh shqetësimin për njoftimet e raportuara në media se subjekti politik, Lëvizja Vetëvendosje, ka paralajmëruar Protestë të nxënësve në Komunën e Prishtinës, duke marrë shkas nga vdekja tragjike e një të riu në rrethana ende të pandriçuara.
\"Në shtetin tonë demokratik e drejta e protestës dhe reagimit qytetar është e garantuar dhe secili mund ti manifestojë shqetësimet dhe kërkesat e veta, por në një shoqëri dhe rend demokratik, subjektet politike duhet ta bëjnë diferencën dhe të mos i instrumentalizojnë nxënësit për hesape politike\", thekson MASHT.
Shkollat janë institucione të dijes dhe të edukimit dhe askush nuk ka të drejtë ligjore të abuzojë me nxënës.
Përfshirja e nxënësve në aktivitete të kësollojshme sipas MASHT cënon të drejtat e fëmijëve dhe përbën shkelje të parimeve të Ligjit për Arsimin Parauniversitar të Republikës së Kosovës dhe të konventave ndërkombëtare.
MAShT fton të gjithë nxënësit, mësimdhënësit, prindërit dhe drejtorët e shkollave që ti përkushtohen punës dhe misionit për mësim cilësor dhe vlera humane.
MASHT e fton \"Lëvizjen Vetëvendosje\" që të reflektojë në interes të nxënësve dhe të mos ushtrojë presion tek ta por, agjendat politike ti adresojë dhe manifestojë në formë demokratike e institucionale.