Për Universitet të dijes, kundër Rektorit të padijshëm
Prishtinë, 26 janar - Lëvizja VETËVENDOSJE! i ka përcjellë me shqetësim të madh ngjarjet dhe skandalet e njëpasnjëshme në Universitetin e Prishtinës, të cilat kulmuan me skandalin e fundit të publikuar në media, ku u dëshmua me fakte se një numër i caktuar i stafit akademik të UP-së, përfshirë edhe vetë rektorin Ibrahim Gashi, janë të përzier në mashtrime dhe kanë përfituar tituj akademikë në mënyrë anti-statutore, e njëkohësisht të jashtëligjshme.
Veprimet e rektorit Gashi me rastin e publikimeve të tij në një pseudo-revistë shkencore paraqesin shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 9 dhe të Nenit 185 të Statutit të UP-së, si dhe shkelje të drejtpërdrejtë të Nenit 13 dhe të Nenit 14 të Kodit të Etikës të stafit akademik të UP-së. Po ashtu, meqë tashmë është dëshmuar se 3 nga gjithsej 5 publikimet e rektorit Gashi janë të pavlefshme, atëherë mbajtja e titullit akademik Profesor i Rregullt nga rektori Gashi është në kundërshtim të plotë me Nenin 175 (pika 1, nënpika 1.2.1) të Statutit të UP-së. Përveç kësaj, duke pasur vetëm 2 publikime valide (nëse janë) në revista shkencore ndërkombëtare, atëherë edhe mbajtja e titullit akademik Profesor i Asocuar nga rektori Gashi është në kundërshtim të plotë me Nenin 176 (pika 1, nënpika 1.2) të Statutit të UP-së, është thën në komunikatën e VV-së.
E kemi Universitetin, ashtu siç e kemi Qeverinë. Qeveria është e pranishme në Universitetin e Prishtinës edhe përmes emërimeve e kontrollit, por edhe si mënyrë e të bërit të gjërave, si logjikë. Është prezente përmes emërimeve, sepse ka kompetencën për të emëruar 4 nga 9 anëtarët e Keshillit Drejtues, këshill ky që përbën organin kryesor vendimmarrës, duke përfshirë edhe vetë zgjedhjen e Rektorit. Jo rastësisht, në UP janë ndërruar rektorët, por ka vazhduar avazi i njejtë.
Andaj, bazuar në të gjitha faktet dhe argumentet e sipërpërmendura, por edhe në ato fakte e argumente tashmë publike, Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje organeve gjegjëse që ta kthejnë ligjshmërinë në Universitetin e Prishtinës, thuhet në komunikatë.
Më konkretisht:
1. Lëvizja Vetëvendosje i bën thirrje Senatit të UP-së që në përputhje me Nenin 173 të Statutit të UP-së, si dhe bazuar në kërkesat e Nenit 175, 176 dhe 177 të Statutit të UP-së për titujt akademikë, rektorit Ibrahim Gashi ti hiqet titulli akademik Profesor i Rregullt dhe Profesor i Asocuar, meqë formalisht (por jo moralisht, pas ngjarjeve të fundit) ai mund të mbajë vetëm titullin akademik Profesor Asistent.
2. Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje rektorit Ibrahim Gashi që të japë dorëheqje nga pozita e rektorit të UP-së, meqë me veprimet e tij ai e ka shkelur Statutin e UP-së (pra ligjin), Kodin e Etikës së stafit akademik të UP-së, si dhe të gjitha parimet dhe normat etike, profesionale, shkencore e akademike, duke e rrënuar kështu reputacionin e universitetit publik më të madh dhe më të rëndësishëm në vend.
Siç është shprehur në seancën e fundit në Kuvendin e Kosovës deputeti Afrim Kasolli: Këto fakte tregojnë shumë qartë se tashmë manipulimi, mashtrimi, shkatërrimi i cilësisë akademike dhe degradimi i Universitetit përbëjnë një tipar kryesor të punës së strukturave menaxhuese të këtij institucioni. Dhe nuk ka dilemë se kjo frymë e shkatërrimit të këtij institucioni është zhvilluar me bekimin e politikës së deritanishme institucionale. Është më se e ditur se në Kosovën e Pasluftës strukturat udhëheqëse e sidomos rektorët janë emëruar nga strukturat politike dhe parapolitike. Po ashtu edhe komisionet recensuese për përzgjedhjen e stafit akademik, që si kriter të vetëm kanë pasur rekrutimin e militantëve partiakë.
Substancialisht kjo qasje e ndjekur nga politika e deritanishme e ka shndërruar këtë institucion vetëm në një godinë universitare, duke e zhbërë idenë e Universitetit. Pra nga një vend për prodhimin e dijes në funksion të zhvillimit shoqëror, ekonomik dhe kulturor, këto struktura menaxhuese dhe ato pararendëse e kanë tjetërsuar bartësin me të madh të arsimit publik në vend në qendër të prodhimit të krimit, mashtrimit e korruptimit.
Është e ditur se shteti modern, krahas aftësisë për të shtrirë autoritetin e tij në të gjithë territorin që e zotëron, duhet edhe ta investojë, prodhojë dhe universalizojë në kuadër të shoqërisë dijen. Nga ky motiv rrjedh edhe sintagma Shteti i Dijes nocion ky që fatkeqësisht më së shumti është bastarduar nga kjo Qeveri. Pa dyshim që nuk mund të kemi Shtet të Dijes pa pasur njëherë Universitet të Dijes.
Lëvizja VETËVENDOSJE! i bën thirrje studentëve, stafit akademik të papërfshirë në shkeljet dhe mashtrimet e bëra publike, intelektualëve dhe shoqërisë civile që të bëhen bashkë në një përpjekje kaq të rëndësishme sa çështë ruajtja dhe forcimi i Universitetit dhe i arsimit të lartë në tërësi.