Pëfundoi konferenca Vizioni për maturën 2015 në Kosovë
Prishtinë, 23 nëntor - Konferenca me temë Vizioni për maturën 2015 në Kosovë përfundoi punimet dyditore ku morën pjesë një numër i madh i pjesëmarrësve vendor ë dhe ndërkombëtarë (Sllovenia, Holanda, Gjeorgjia, Shqipëria), si dhe donatorëve dhe partnerëve të arsimit në Kosovë.
Konferenca kishte për qëllim shqyrtimin e mundësive dhe modaliteteve të reformimit të provimit shtetëror të Maturës, duke synuar që ky test të bëhet valid dhe i besueshëm për certifikim të njohurive të shkollimit të mesëm dhe vazhdimin e shkollimit të lartë.
Nehat Mustafa, zëvendësministër dhe kryetar i KQSHM-së (Komisioni Qendror Shtetëror i Maturës) vlerësoi se konferenca ishte shumë e suksesshme dhe ofroi një bazë të mirë për MAShT në shqyrtimin e opsioneve dhe modaliteteve të reformimit të testit të Maturës si përkushtim i vazhdueshëm i MAShT.
Organizimi i kësaj konference dëshmon qartë qasjen dhe përkushtimin e MAShT në përmirësimin e mëtutjeshëm të testit të Maturës dhe qasjen e orientuar të MASHT drejt reformës në arsimin në përgjithësi.
Duke marrë parasysh përvojat ndërkombëtare të prezantuara në konferencë, diskutimet dhe idetë e shfaqura drejtëpërdrejtë nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, Drejtorë të Shkollave, Mësimdhënësit, Universitetet Publike si palë të drejtëpërdrejta në proces, si dhe duke marrë parasysh praktikat dhe përvojat e deritanishme të MAShT në organizimin e testit të Maturës, konferenca nxori konkludimet në vijim:
- MAShT duhet të definojë qartë qëllimin e testit të Maturës, si qëllim i dyfishtë, për certifikimin e njohurive nga shkollimi i mesëm i lartë dhe vazhdim i shkollimit në arsimin universitar. Në këtë rast, për qëllim të certifikimit të njohurive të zotëruara në arsimin e mesëm të lartë, testi i maturës do të testojë njohuritë dhe shkathtësitë që mësohen sipas planprogrameve ekzistuese si dhe në të ardhmen planprogramit të ri që është duke përgatitur MAShT.
Ndërsa, në anën tjetër, për qëllime të pranimit të nxënësve në Universitete, testi i Maturës duhet të testojë shkathtësitë që kërkojnë Universitetet/Fakultetet përkatëse për studim në programet e tyre akademike, duke mundësuar rol më të madh të Universiteteve në këtë proces. Modalitetet e zbatimit pritet të zbërthehen në kuadër të punës së KQSHM-së dhe MASHT në muajt në vjim.
- Duhet të funksionalizohet modaliteti i testit me pjesën e obliguar dhe pjesë zgjedhore, duke respektuar profilet e ndryshme të programeve shkollore në Kosovë dhe duke pasur parasysh mundësitë dhe opsionet e ndryshme të vazhdimit të shkollimit të lartë që nxënësit i kanë aktualisht.
- MAShT do të punojë në modalitetet e rritjes së besueshmërisë dhe validitetit së testit të Maturës në mënyrë që nxënësit e të gjitha profileve arsimore të testohen në mënyrë të drejtë dhe testi i Maturës të jetë test i pranueshëm për të gjitha palët;
- MAShT duhet të vazhdojë me reformën e nisur në vitin 2011 rreth administrimit të testit të Maturës në salla të hapura, por në të ardhmen të mos ketë më shumë se 150 nxënës në sallë. Risitë në vitin 2011 kanë rezultuar në një rezultat më të besueshëm të testit të Maturës.
Në të njëjtën kohë MAShT duhet të punojë rreth identifikimit të adminstruesve profesional të testit duke anuluar praktikën e tanishme të emërimit të adminsitruesve nga autoritetet komunale. Administruesit zgjedhen në bazë të performancës së tyre, në baza kontraktuale, dhe bëhet trajnimi i tyre adekuat si dhe informimi me kohë i detyrave dhe përgjegjësive gjatë ditës së testimit.
- Duhet të rritet llogaridhënia në sistemin e organizimit të testit të Maturës dhe masat e ndëshkimit duhet të ndërmerren për të gjithë ata që shkelin rregullat e organizmit të testit duke përfshirë edhe administruesit dhe nxënësit.
- Përkundër punës së mirë deri tani, MAShT duhet të punojë në informimin më të mirë dhe me kohë të të gjitha palëve në proces, sidomos në rastet kur futen risi në testin e Maturës ku informimi duhet të jetë më i hershëm dhe substancial.
- Zbatimi i ndryshimeve në testin e Maturës duhet të planifikohet mirë dhe në mënyrë graduale, duke pasur parasysh kapacitetet financiare dhe njerëzore në dispozicion.
MAShT mbetet e përkushtuar në vazhdimin e punës rreth reformimit të testit të Maturës në mënyrë që ky test të bëhet edhe më valid dhe në harmoni edhe me aspiratat e MAShT dhe praktikat e mira ndërkombëtare.
Si rezulatat, MAShT do të hartojë planin 5 vjeçar të përmirësimit të Maturës të cilin do ta zbatojë edhe me mbështetjen e donatorëve dhe partnerëve të arsimit.
Konferenca 2 ditore Vizioni për Maturën 2015 në Kosovë u organizua në mbështeje të Bankës Botërore perms projektit IDEP.