PDK: Muharrem Sfarqa vazhdon me skandale në arsim
Prishtinë, 25 nëntor - Partia Demokratike e Kosovës, dega në Ferizaj vazhdon të shprehë shqetësimin për keq-qeverisjen si dhe qasjen armiqësore dhe përjashtuese të kryetarit Sfarqa ndaj të punësuarve të cilët nuk i përkasin subjektit të tij politik.
\"Kjo udhëheqje çdo ditë e më shumë, përmes listave të famshme\" për përjshtime nga puna, po na kujton regjimin e kaluar të paraluftës. Faktet që e mbështesin shqetësimin tonë janë të dukshme dhe të përditshme.\"
\"Shkarkimi pa ndonjë arsyetim i drejtorëve të disa shkollave në komunën e Ferizajt, të cilët përveç që i përmbushin kriteret profesionale, janë edhe kategori e veteranëve të luftës, paraqet në të vërtetë një përjashtim ideo politik dhe jo shkarkim të mirfilltë\", thekson PDK.
Për më tepër, ky vendim i kryetarit Sfarqa sipas PDK-së është në kundërshtim me ligjin për arsimin parauniversitar dhe gjithashtu edhe me udhëzimin administrativ.
Edhe pse është e vërtetë që disa drejtorëve u ka skaduar kontrata, kjo nuk nënkupton që edhe atyre që nuk u skaduar kontrata të largohen nga puna.
Dështimi dy herë radhazi i konkursit për drejtorë, për shkak të procedurave, vërteton shqetësimin e PDK-së.
\"Por shqetesimi yne kryesor eshte shkarkimi dhe emrimi i menjehershem i drejtoreve ne arsimin Ferizajas. Në gjimnazin gjuhësor Shaban Hashani në pozitën e drejtorit të shkollës është emruar personi që përveç se nuk ka punuar kohë të gjatë në arsim, si shkollim universitar e ka fakultetin e gjuhës Ruse.\"
\"Për më tepër, personi i lartëcekur është edhe kryetar i nëndegës së LDK-së në Rahovicë. Ndërsa po në këtë shkollë, për zëvendës drejtor, është emëruar personi i cili në raportin e auditorit është vlerësuar me performancë të keqe per shkak të keqpërdorim të parasë publike\", thekson PDK në komunikatë.
Një shkelje tjetër është edhe ajo se pa asnjë paralajmërim paraprak në formën e shkruar dhe ende pa i skaduar kontrata nga puna është përjashtuar edhe drejtoresha e kopshtit të fëmijëve në lagjen e re, znj. Mihane Buzhala.
Në një paraqitje televizive Sfarqa largimin e znj. Buzhala e kishte arsyetuar kinse kjo kishte paraqitur performancë të dobët, arsyetim të cilin nuk e mbuloi me asnjë fakt.
Për më tepër, largimi nga puna i znj. Buzhala e ka revoltuar këshillin e prindërve, të cilët ishin të kënaqur me perfomancën e saj dhe shumë të pakënaqur me largimin e saj nga puna, të cilët edhe i kanë drejtuar një apel Inspektoratit të Arsimit në Ferizaj lidhur me këtë çështje.
PDK vlerëson se skandaloze kur kuptohet se arsye e vetme e përjashtimit nga puna i znj. Buzhala është bërë me qëllimin që ti lirohet vendi një anëtari të LDK-së, gjë që zoti Sfarqa e ka realizuar me emërimin e drejtoreshës së re Arta Tahiri, e cila si asambleiste e Kuvendit Komunal, përveç se u shpërblye me dy tenderë për ndërrimin e subjektit politik dhe aderimin e saj në LDK, asaj tani iu dha edhe pozita e drejtoreshës në kopshtin te fëmijëve në lagjen e re.
\"Ne gjithashtu duam të potencojmë se kjo pozitë paraqet konflikt interesi, për arsye se znj. Tahiri tashmë ushtron një funksion publik duke qenë anëtare e Asamblesë Komunale në Ferizaj. Absurditeti me i madhe qendron në emërimin e kësaj drejtoreshe, sepse ajo as profesionalisht nuk i plotëson kriteret për një detyrë të tillë, për arsye se ka të mbaruar Fakultetin e Shkencave Politike, për çka bie në kundërshtim me ligjin.\"
\"Ne si PDK vlerësojmë se të gjitha këto shkarkime nuk mund të quhen asgjë tjetër veq se diferencime dhe spastrime ideo politike. Ne njëherit i bëjmë thirrje z. Sfarqa që të ndalojë këto lojëra të paskrupullta dhe skandaloze dhe ta bëjë detyrën e tij si kryetar i gjithë qytetarëve ashtu edhe siç është zgjedhur dhe jo vetëm i LDK-së ashtu siç ai po vepron\", thekson në fund PDK.