PDK larg duart nga Universiteti
Prishtinë, 10 dhjetor - Lëvizja studentore për barazi - "Studim - Kritikë - Veprim" ka bërë të ditur se sot pas një mori presionesh të drejtuara ndaj Drejtuesve të Universitetit, Këshillit Drejtues, Sekretarit të rektoratit si dhe disa anëtarëve të Parlamentit Studentor, PDK dështoi në përpjekjen e saj për të organizuar një puç me ç'rast synonin rrëzimin e koalicionit qeverisës SKV, USPE, REFORMA, PAQJA STUDENTORE.
"Studim - Kritikë - Veprim" konsideron se PDK e organizuar përmes dy organizatave famëkeqe OPS dhe UPSK të cilat kanë drejtuar për vite me radhe Parlamentin e Studentëve.
"Të mobilizuar, në mënyrë tërësisht tinëzare po keqpërdornin çdo mjet që kishin në dispozicion për t’ia arrit qëllimit të tyre, sa të dëmshëm aq edhe të rrezikshëm.
"Megjithatë sot u dëshmua që përpjekja e organizatave tona partnere në koalicion janë më të fuqishme drejt rrugës për ta ri ngritur kredibilitetin e këtij organi, i cili ndonëse heterogjen për nga natyra e veprimeve dhe bindjeve, ka gjet vullnetin për të bashkërenduar pikat e saj programore dhe për t’i shtyrë ato përpara kundrejt çfarëdo presioni që mund të na vjen. Mbi të gjitha kthimin e autonomisë së Universitetit kundrejt ndërhyrjeve të pushtetit", thekson "Studim - Kritikë - Veprim".
"Ne jemi të vetëdijshëm që në Universitetin e Prishtinës përballë nesh qëndrojnë struktura të korruptuara të vendosura që nga paslufta e që vazhdojnë edhe sot. Gjithsesi që Universiteti është i studentëve dhe neve na takon ta mbajmë pishtarin e ngritjes dhe mbrojtjes së tij nga injorantët e pushtetshëm përreth."
"Megjithatë në këtë drejtim nuk duhet të rrinë duar kryq as profesoriati të cilët nuk dëgjohen gati se asnjëherë. Profesorë dhe asistentë të heshtur në çdo moment!", thekson "Studim - Kritikë - Veprim".
Kjo “parullë” do ti ndjekë ata derisa të mos ngrihen bashkë me studentët dhe jo të vazhdojnë të konformohen ndaj pushtetit vetëm sa për të ruajtur pozicionin e tyre të fituar, me ose pa mund."
Kjo është e pandershme, përkundër që ne e kuptojmë që secili nga ata do ta ketë për detyrë ta mbajë peshën e shantazheve dhe kërcënimeve që vijnë nga të tjerë më lartë.