PD: Sot kujtojmë sakrificën dhe flijimin e mësuesve tanë
Prishtinë, 7 mars - Partia e Drejtësisë uron të gjithë mësimdhënësit me rastin e 7 Marsit-Ditës së Mësuesit, ditë e cila na kujton sakrificën dhe flijimin e mësuesve tanë për çështjet madhore të kombit, siç është pavarësia e Kosovës dhe ngritja intelektuale e gjeneratave të reja.
Sot ne kujtojmë me respekt e krenari mësuesit e parë të Mësonjëtores shqipe, pasi vetë hapja e shkollës ishte një fitore e madhe e Rilindjes sonë Kombëtare.
Dita e Mësuesit është dita kur ne i kujtojmë të gjithë mësuesit tanë që nga çasti kur u ulëm për herë të parë në bankat e shkollës, dhe më pas, mësuesit e të gjithë brezave, sepse e gjithë jeta është një shkollë.
Sot, në Ditën e Mësuesit, një urim të veçantë shkon edhe për një plejadë mësuesish në pension, të cilët kanë qenë modele të shkëlqyera dhe një pasuri e vyer e intelektualëve shqiptarë, të cilët shërbyen me dashuri e përkushtim dekada e dekada me radhë.