Pavarësohet Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj
Prishtinë, 16 shtator - Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF), nga sot është edhe zyrtarisht i ndarë nga Universiteti i Prishtinës Hasan Prishtina, pasi që sot u bë nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit, që rregullon çështjen e lëvizjes së stafit akademik, statusit të punëtorëve administrativ, statusit të studentëve, buxhetit dhe çështje të tjera të rëndësishme për funksionimin e këtij universiteti.
Në ceremoninë e nënshkrimit të Memorandumit për ndarjen e universitetetit më të ri publik të Kosovës, u tha se tani ka ardhur koha që ky universitet të konsolidohet dhe të pavarësohet përmes një procesi, duke marrë përgjegjësitë në aspektin akademik, menaxherial dhe atë financiar.
Ministri i Arsimit, Arsim Bajrami, tha se ky Memorandum është shumë i rëndësishëm, sepse rregullon procesin e përfundimit të tranzicionit, dhe Universiteti i Ferizajt është plotësisht i pavarur në punën dhe aktivitetet drejt zhvillimit të tij.
Rektori i Universitetit të Prishtinës, z. Marian Demaj theksoi se ky universitet është i gatshëm të ndihmojë edhe më tutje Universitetin e Ferizajt, ndërsa rektori z. Agron Bajraktari tha se ky akt është shumë i rëndësishëm në punën e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj dhe theksoi se si universitet i ri, ka nevojë për ndihmën e të gjithëve, në mënyrë që të zhvillohet dhe të nxjerrë kuadra të përgatitura mirë për tregun e punës.