Parregullsi në pasqyrat vjetore financiare të MASHT-it
Prishtinë, 17 tetor - Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, të kryesuar nga Ali Sadriu, kryetar i Komisionit, e ku merrnin pjesë edhe Ramë Buja, ministër i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, me bashkëpunëtorë, si dhe përfaqësues të Auditorit të Përgjithshëm, temë qendrore ishte
Raporti i auditimit të pasqyrave vjetore financiare të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, për vitin 2011.
Në fjalën hyrëse Ali Sadriu, theksoi se MASHT-i nga ndarja prej 45,5 milionë euro në vitin në shqyrtim, ka shpenzuar 42 milionë, përkatësisht 92 për qind.
Në buxhetin kapital, theksoi ai, nuk kishte shfrytëzim racional. Vetëm në dymujorin e fundit janë shpenzuar 39 për qind e buxhetit, që lë të kuptohet se nuk mund të jetë shpenzim real që përkon me progresin fizik të kapitaleve.
Në vijim, ai foli edhe për disa të gjetura që janë konstatuar nga Raporti, duke u ndalur sidomos në kontratat e kësaj ministrie me punëtorët e vet, si dhe me palë të tjera, që janë në kundërshtim të plotë më LMFFP, pastaj për kompensimin e zyrtarëve për punë jashtë orarit, lidhja e kontratave me operatorët ekonomik pa zotim të mjeteve etj.
Parregullsi të këtilla u përmendën edhe nga anëtarë të Komisionit. U përmendën parregullsi edhe në çështjen e pranim- dorëzimit të librave në shkolla, në aspektin e mungesës së dokumentacionit përkatës.
Ndërkaq, Komisioni ishte unik në konstatimin se është shënuar progres në këtë Raport,përkatësisht mbretëronte një opinion i mirë për Raportin, krahasuar me të mëparshmit, ndërsa të metat e konstatuara nuk zbehin punën e mirë të Ministrisë, theksuan diskutuesit.
Ministri i MASHT-it, Ramë Buja, falënderoi Auditorin gjeneral për të gjeturat, duke theksuar se megjithatë është shënuar një përparim në këtë lëmë.
Duke folur rreth ndërtimit të planifikuar të 23 shkollave, ai tha se brenda vitit 2013 do të përfundojnë së ndërtuari ato.
Në përfundim të debatit, u dha propozimi që brenda dy muajve Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë të kompletojë pasqyrat financiare, sidomos kur është fjalë për dokumentacionin përkatës rreth pranim dorëzimit të librave shkollorë.
Ministri Buja u zotua se ministria do të përmbushë këtë obligim, madje para këtij afati.