Parlamenti Studentor: UP shkeli kriteret për doktorata
Prishtinë, 17 nëntor - Parlamenti Studentor i Universitetit të Prishtinës Hasan Prishtina paralajmëron që në rast se nuk shqyrtohet çdo kandidat i pranuar në studimet e doktoratës dhe nuk zbatohen rregullat për ta, do dalin me emra të atyre që nuk kanë merituar të pranohen.
Nota e ulët mesatare e të pranuarve në studimet e doktoratës, vonesat e profesorëve dhe avancimet pa kritere të stafit akademik, janë shqetësimet e kësaj organizate studentore, që, sipas tyre, po degradojnë Universitetin dhe gjithë arsimin.
Minir Begaj, kryetar i këtij parlamenti ka thënë se kanë për qëllim të promovojnë vlera e jo grupe të interesit dhe paralajmëroi që nëse nuk merren veprime, do dalin edhe me emra se kush janë shkelësit.
Sot kur jemi në shekullin 21 në studimet e doktoratës pranohen individ që janë nën mesatare. Pra, një numër i madh i tyre janë nën mesataren 8.0. Ne kemi ngritur shqetësimet edhe në mbledhjen e senatit ku kemi paralajmëruar se me këtë akt po e shkatërrojnë dhe po i bëjnë dëme të pariparueshme universitetit dhe shoqërisë tonë, ka thënë ai.
Begaj madje tha se shumë profesorë janë avancuar pa merita dhe për këtë, shumë shpejtë, do të kontaktojnë edhe me organet e drejtësisë.
Kërkojmë nga rektori dhe menaxhmenti i tij që të gjitha ato shkelje flagrante që kanë ndodhur në mbledhjen e fundit të senatit të kthehen në një mbledhje urgjente të senatit dhe të shqyrtohen me përpikëri të gjithë ata kandidatë që kanë kaluar në këtë mbledhje, si dhe të respektohen të gjitha rregulloret dhe konkurset për pranimin në studimet e doktoratës si dhe kërkojmë që të gjitha ata që kanë mesataren 8.0 të largohen nga listat, ka thënë ai.
Ata, nuk folën me shifra se sa është numri i atyre që janë pranuar duke shkelur rregullat dhe pa merita, por paralajmëruan se nëse senati nuk i kthen prapa këto vendime do dalim edhe me shifra, edhe me emra.
rtk