Parlamenti Studentor i UPZ-së kërkon shkarkimin e Ministrit Shyqiri Bytyqi!
Prizren, 28 shkurt - Parlamenti Studentor i Universitet te Prizrenit vlerësoi se përjashtimi i Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë (EQAR) është një lajm shqetësues për të cilën gjë duhet të adresohet urgjentisht përgjegjësia.
"Kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme të Ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi. Nëse ai nuk jep dorëheqje, kërkojmë nga Qeveria e Kosovës që të shkarkojë ministrin Bytyqi. Kjo gjendje ka ardhur pas ndërhyrjeve direkte politike në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës nga ana e ministrit Bytyqi."
"Për neve studentët kjo gjë do të thotë izolim. Tani më nuk na hyn në punë as liberalizimi i vizave sepse Evropa na ka klasifikuar si sistem jo serioz dhe jo kredibil për të bashkëpunuar", thekson Parlamenti Studentor i UPZ-së.
Duhet kujtuar se në Universitetin “Ukshin Hoti”, ministri Bytyqi nuk ka lejuar kuotat, përkatësisht hapjen e konkursit për regjistrimin e studentëve të rinjë në drejtimin e akredituar në Agrobiznes, në Fakultetin e Shkencave të Jetës dhe Mjedisit, një program shumë i nevojshëm për tregun.
Për studentët e Universitetit “Ukshin Hoti” po bëhen më shumë se 1 vit që nuk kanë bursa për shkak se MASHT-i nuk ka bërë asgjë që të sigurohen mjetet financiare.
"Prej se kontabilisti Bytyqi e ka marrë detyrën e Ministrit të Arsimit, ky dikaster shumë i rëndësishëm, është përcjellë me skandale dhe realisht ai me klikën e tij e ka kapur Arsimin e Lartë në Kosovë duke bërë ndërhyrje të drejtëpërdrejtë në këto institucione, përmes emërimit të militantëve të vet pa kurfarë përvoje nëpër borde të institucioneve të pavarura të Arsimit të Lartë."
"Ministri Bytyqi në vend se të merr iniciativë për pavarësimin buxhetor të universiteteve publike si nevojë e domosdoshme, ai tani shpik ide të ndryshme që nuk i rrokë logjika e shëndoshë për riorganizimin e universiteve, madje duke lansuar në opinion ide të bashkimit të universiteteve, logjikë kjo që i ka takuar ish-sistemit famëkeq", thekson Parlamenti Studentor i UPZ-së.