Parlamenti gjerman ofron bursa për studentë nga Kosova
Prishtinë, 14 tetor - Nga 16 deri më 17 tetor 2013 në Kosovë do të qëndrojë një delegacion nga Gjermania me qëllim për të përzgjedhur kandidatë të përshtatshëm për Bursën Ndërkombëtare të Parlamentit (IPS) të Bundestag-ut gjerman. Delegacioni gjerman do të udhëhiqet nga deputeti i Bundestag-ut, Steffen-Claudio Lemme.
Në kuadër të programit IPS 120 bursistë nga 28 shtete të ndryshme të botës do të kenë mundësinë që nga 1 marsi i vitit 2014 deri në 31 korrik 2014, brenda një burse, e cila jepet nga Bundestagu gjerman të njihen me sistemin parlamentar të Gjermanisë.
Qëllimi i programit është përcjellja nga afër e proceseve politike dhe proceseve demokratike vendimmarrëse. Bursistët do të punojnë në një zyrë me një deputet të parlamentit.
Njëkohësisht ata do të jenë të regjistruar në njërën nga universitetet berlineze, ku krahas angazhimit në parlament do ti ndjekin ligjeratat dhe aktivitetet e tjera mësimore.
Programi është nën patronatin e Presidentit të Bundestagut gjerman dhe implementohet në bashkëpunim me tri universitete berlineze. Të gjitha shpenzimet e udhëtimit, akomodimit dhe sigurimit, përfshirë edhe bursën mujore mbulohen nga Bundestagu gjerman.
Çdo vit, nga muaji dhjetor në Ambasadën Gjermane dorëzohen dokumentacione konkuruese për pjesëmarrje në IPS. Informata më të hollësishme rreth këtij programi mund të gjenden në faqen e internetit të Bundestagut gjerman, në: www.bundestag.de/ips <http://www.bundestag.de/ips>.
Gjatë qëndrimit në Kosovë, delegacioni gjerman do të takohet me personalitete nga sfera e politikës, ekonomisë, arsimit dhe soqërisë civile.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi do ta takojë delegacionin gjerman për një bisedë më 17 tetor në orën 10:30.
Më 17 tetor, në orën 09.00 deputeti gjerman Lemme do të mbajë një ligjeratë mbi bursat IPS. Kjo ligjeratë mbahet në Universitetin e Prishtinës në amfiteatrin e Fakultetit Filologjik. Përfaqësuesit e medieve janë përzemërsisht të ftuar për të përcjellur këtë ngjarje.
Poashtu edhe ish-bursistët marrin pjesë në pika të ndryshme të programit të paraparë. Në shumë shtete ashtu si në Kosovë ish bursistët janë mbledhur në shoqata për të ruajtur dialogun ndërkulturor dhe në këtë mënyrë për të ndërtuar një rrjet.