22 Dhjetor 2024

Paraqiten të arriturat dhe planet e Programit Themelor të Arsimit

Prishtinë, 14 nentor - Programi i USAID-it – Basic Education Program (Programi i Arsimit Themelor) -BEP në bashkëpunim me Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), kanë paraqitur sot të arriturat e këtij programi të përbashkët për vitin e kaluar dhe planet që kanë për vitin e ardhshëm.

Me këtë rast, zëvendësministri i Arsimit njëherësh edhe udhëheqës i Komisionit Mbikëqyrës të BEP, Nehat Mustafa, tha se ky projekt është njëri prej projekteve më të mëdha që është zhvilluar në arsimin e Republikës së Kosovës.

“Janë tri komponenta në të cilat ky program është duke punuar, me të vetmin qëllim që të ndryshojmë pozitivisht arsimin e obliguar, gjegjësisht përfituesit e këtij programi është niveli i parë, pra shkolla fillore ose niveli fillor dhe shkolla e mesme e ulët”, theksoi ai.

Zëvendësministri Mustafa tha se e veçanta e programit është se synon ngritjen e kapaciteteve të institucioneve arsimore të Republikës së Kosovës.

Ndërsa, udhëheqësit e këtij programi, kanë bërë prezantimin e aktiviteteve të cilat janë zhvilluar në programin e USAID-it, gjatë vitit 2011/12, si dhe planin e punës ose aktiviteteve për muajt që kanë mbetur gjatë vitit 2012, por edhe gjatë vitit 2013.

Keith Prenton, udhëheqës i “Basic Education Program”, theksoi se ky program përbëhet nga tri komponenta që janë ngritja e kapaciteteve menaxhuese të shkollave në nivelin lokal, përmirësimi i vlerësimit të rezultateve të të nxënit, dhe përmirësimi i ngritjes profesionale të mësimdhënësve pa shkëputje nga puna.

Penton foli për të arriturat në secilën prej komponenteve dhe tha se ka partneritet me 24 komuna të Kosovës sa i përket trajnimeve, ku edhe janë themeluar qendra të trajnimit. Ai theksoi se është hera e parë që disa donatorë punojnë së bashku për të njëjtin qëllim.

Sa i përket komponentës së vlerësimit, Prenton tha se kjo është komponenta që ndikon më së shumti te nxënësit dhe theksoi se deri më tani janë trajnuar mbi 4 mijë mësimdhënës, por që deri më 2015 programi do të mbërrijë te secili mësues i arsimit fillor.

Të gjitha këto aktivitete janë të përfshira edhe në Kurrikulën e re të Arsimit dhe ndihmojnë MAShT-in në realizimin e synimeve për një arsim sa më cilësor.

Ky program ka filluar në vitin 2010, dhe financohet bashkërisht nga Agjencioni i Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) dhe nga Qeveria e Kosovës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)