Pajazit Hajzeri një nga doktorët e parë në fushën e trashëgimisë kulturore
Mitrovicë, 4 prill - Pajazit Hajzeri, drejtor i Drejtorisë së Arsimit në komunën e Mitrovicës, është njëri nga tre kandidatët e parë në Kosovë, që në të njëjtën ditë kanë doktoruar në fushën e trashëgimisë kulturore në Republikën e Kosovës, ndërsa që në Mitrovicë dhe rajonin e saj është i pari.
Ditë më parë, në Universitetin e Tiranës, përkatësisht në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë, Departamenti i Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore, Hajzeri mbrojti temën e doktoraturës në fushën e trashëgimisë kulturore. Ai mbrojti me plotë sukses temën Trashëgimia e paluajtshme ndërtimore në Mitrovicë dhe rrethinë.
Udhëheqës shkencor i doktoraturës ishte Akademik Emin Riza, nën përcjelljen e vazhdueshme të udhëheqësit të Departamentit të Arkeologjisë dhe Trashëgimisë Kulturore Prof. Dr. Lorenc Bejko dhe Prof. Dr. Iris Pojani, ndërsa që anëtarë të komisionit ishin: Prof.Dr. Aleksander Meksi, Prof.Dr. Valter Shtylla, dhe Prof. Dr. Adem Bunguri.
Në oponencën e tij në temën e doktoraturës Trashëgimia e paluajtshme ndërtimore në Mitrovicë edhe rrethina, Prof. Dr. Valter Shtylla, ka shkruar se në punimin e tij me 270 faqe, i ndarë në tetë kapituj, Hajzeri trajton vlerat ndërtimore historike në trojet e Mitrovicës në veri të Kosovës.
Tema merr një rëndësi të veçantë jo vetëm se përshkruan një trevë të pasur me vlera kulturore por dhe për specifikat politike prezente në këtë qytet. Në punimin e tij autori Hajzeri ka meritën se ka ezauruar vlerat monumentale më përfaqësuese të Mitrovicës me rrethina, duke përshkruar tërë gjinitë e objekteve historike. Vend të posaçëm në material zënë vendbanimi romak Municipiumi Dardanorum në Soçanicë, Kështjellat në Zveçan dhe Vushtrri, ka shkruar ai.
Sipas tij, me interes është kapitulli i banesës fshatare, ku spikasin tipet primitive origjinale me prejardhje nga kohët antike dhe se kontribut përbën edhe trajtimi i vlerave ndërtimore të kompleksit të kullave të Isa Boletinit, të cilat përveç rëndësisë historike mbartin dhe vlera arkitektonike.
Oponenti tjetër, Prof. dr. Adem Bunguri, ka shkruar se puna e kryer nga disertanti Hajzeri është shumë e mirë dhe e kënaqshme, dhe për këtë merita kryesore i përket autorit, pasi që ai ka bërë evidentimin e monumenteve arkeologjike, arkitektonike dhe historike të të gjithë gjinive në hapësirën e Kosovës Veriore.
Sipas tij, disertacioni do të shërbejë si bazë si për marrjen nën mbrojtje të monumenteve të rrezikuara si dhe për studime të mëtejshme në këtë fushë të trashëgimisë kulturore.
Është mjaft pozitive përpjekja e autorit që e shtrin studimin e tij edhe në ato pjesë të Mitrovicës Veriore ku aksesi sot është i vështirë dhe ndonjëherë i pamundur. Me gjithë vështirësitë e kalimit të Urës së Ibrit, që në fakt duhet të bashkojë dy pjesët e një qyteti si Mitrovica, ai ka arritur të na sjell informacione të vlefshme për vendbanimin kodrinor të Vallaçit në Mitrovicë, për kalanë ilire të Zveçanit në Mitrovicë, për banesat karakteristike shqiptare të Suhadollit në veri të Mitrovicës, kompleksin e kullave të Isa Boletinit në Shalë të Bajgorës etj.
Ai në fund thekson se Hazjeri ka kryer një punë të vlefshme për evidentimin dhe njohjen monumenteve të trashëgimisë kulturore të kësaj pjese të Kosovës Veriore. Për këto arsye them me bindje se disertacioni i Ma. Pajazit Hajzeri është i arrirë në të gjithë parametrat e kërkuar të tij dhe për rrjedhojë, i plotëson të gjitha kushtet për marrjen e gradës shkencore Doktor, ka thënë profesor Bunguri.