23 Dhjetor 2024

Pagesa për semestër vlerësohet e shtrenjtë

Prishtinë, 16 mars -   Pas kërkesës së Parlamentit të Studentëve për t’i ulur çmimet për studimet master dhe të doktoratës, kanë reaguar zyrtarët e Ministrisë së Arsimit.

Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka thënë për “Epokën e re” se janë të hapur ndaj të gjitha kërkesave dhe se do ta shqyrtojnë mundësinë e uljes së çmimeve të studimeve master dhe të doktoratës.

Pagesa prej 300 eurosh për semestër për studimet master dhe 1 000 mijë euro për studimet e doktoraturës vlerësohet të jetë e papërballueshme për studentët e Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Nënkryetari i Partisë së Drejtësisë, Jeton Sfirca, në Kuvendin e Kosovës ka kërkuar nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) të nxjerrë një udhëzim administrativ që të ulen çmimet në këto nivele të studimit.

Ai ka thënë se, krahasuar me vendet e rajonit, Kosova ka çmimet më të larta për studim. Ndërsa zyrtaret e MASHT-it thonë se kjo ministri çdoherë është e gatshme t’u përgjigjet kërkesave të studentëve. Drita Kadriu, këshilltare e ministrit të Arsimit, Ramë Buja, ka thënë për “Epokën e re” se janë të hapur ndaj të gjitha kërkesave.

Ajo ka bërë me dije se do ta shqyrtojnë mundësinë e uljes së çmimeve të studimeve në këto nivele studimi. “Ende nuk kemi marrë ndonjë kërkesë që pagesat për studimet në nivelin master të ulen, ose në një prag më të përballueshëm për studentë. Megjithatë, jemi të hapur për t’i shqyrtuar të gjitha kërkesat edhe mundësitë që të krijohen kushtet e barabarta për të gjithë që përfshihen në sistemin e arsimit të lartë”, ka thënë Kadriu.

Ajo është shprehur se ministria është shumë e interesuar që secila njësi akademike të ketë studime të doktoratës për shkak se mungon kuadri i ri në fusha të ndryshme të doktoratës.

“Rritja e numrit në doktoraturë normalisht e zvogëlon edhe çmimin, sepse doktorata nuk është studim i obligueshëm, më shumë është studim që njerëzit dëshirojnë ta mbërrijnë një gradë shkencore, nuk është i detyrueshëm. Pra, është dëshirë e njerëzve për të studiuar. Ne jemi shumë të interesuar që njësitë akademike të kenë studime të doktoratës, dhe sigurisht se kjo lehtëson edhe uljen e çmimit të doktoratës”, është shprehur Kadriu.

Kurse kryetari i Parlamentit të Studentëve të Universitetit të Prishtinës (PSUP), Minir Begaj, ka thënë se këtë shqetësim të studentëve për çmimet e larta të studimeve master dhe atyre të doktoraturës e ka përcjellë disa herë tek menaxhmenti i UP-së.

Ai ka theksuar se studimet e doktoratës janë studime luksi dhe shumica e kandidatëve janë në marrëdhënie pune dhe kanë mundësi të paguajnë.

“Ndërsa për studimet master kemi diskutuar, por nuk kemi mundur të nxjerrim një kompromis të qartë, megjithatë do të vazhdojmë të bëjmë kërkesa që çmimet të jenë më të lehta”, ka thënë Begaj, duke shtuar se PSUP-ja do të bëjë presion që këto çmime të ulen. 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)