14 Nëntor 2024

Pa depolitizim të Universitetit, s'ka zgjidhje të drejtë!

Prishtinë, 7 mars - Ndonëse ishin disa kandidatë të kualifikuar për postin e rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina”, procesi dështoi shkaku se asnjëri kandidat nuk mori vota të mjaftueshme për t’u zgjedhur rektor.

Realisht, nuk kishte fare arsye të shkarkohej rektori aktual i cili filloi mbarë me disa reforma që do të vendosnin rend e rregull në këtë Universitet, skajshmërisht të politizuar ku asnjë post udhëheqës nuk merrej pa bekimin e oligarkëve politikë. Rektorët e mëparshëm ishin rektorë politikë prandaj kontribuan në krijimin e  kaosit në këtë Universitet ku nxënia e dijes për studentët ishte margjjinalizuar shumë sikur që ishte i shprehur edhe kriminalizimi i vlerësimit të aftësive të studentëve.

Me një fjalë , Universiteti ”Hasan Prishtina” u shndërruar në një kurs të madh ku luftohej analfabetizmi përmes interesave klanore dhe politike dhe në përputhje me këtë ndaheshin tituj shkencorë si shenjë mirënjohje për oligarkët politikë e jo sipas kritere profesionale dhe morale.

Dështimi i zgjedhjes së rektorit të Universitetit “Hasan Prishtina” ishte dhe është dështim për zgjedhjen e kandidatit të preferuar prandaj kemi përsëritje të konkursit derisa të arrihet qëllimi. Disi, duket se zgjedhja e rektorit është shndërruar në një tender që sjell shumë përfitime prandaj kishim shkarkim të ngutshëm të rektorit Zejnullahu dhe dështime për zgjedhjen e rektorit të radhës.

KMDLNj vlerëson se në këtë gjendje në të cilën është Universiteti “Hasan Prishtina”, reformat e mirëfillta janë të pamundura dhe vetëm po ndërmerren veprime sipërfaqësore për ta mbuluar përmbajtjen e vërtetë, jo profesionalizmin, nepotizmin, klientelizmin, ndikimin absolut politik dhe dukuritë e tjera negative që e kanë shndërruar këtë Universitet në një shkollë të mesme të mëparshme.

Ndryshime në Universitetin “Hasan Prishtina” duhet të jenë të thella, përmbajtësore, cilësore e për këtë duhet një angazhim më i madh i vet studentëve që studiojnë aty, studentëve potencialë, prindërve të tyre, stafit akademik që ia dojnë të mirën Universitetit dhe mbarë shoqërisë. Pa këto hallka nuk do të kemi zingjir të kompletuar të mësim dhënies dhe profesionalizmit.

Ndryshimet në shoqërinë kosovare kanë filluar pikërisht në Universitet që ka qenë përshpejtues dhe nxitës i këtyre ndryshimeve andaj kështu duhet të ndodh edhe në të ardhmen. Çdo rektor që do të zgjedhet nëse nuk e ka përkrahjen e Senatit , të KD të Universitetit është i paracaktuar të dështojë përkundër gatishmërisë për reforma dhe ndryshime siç ishte rasti i Ramadan Zejnullahut të cilin politika së pari e ekzekutoi pastaj nën trysninë e opinionit po e njejta politikë u “përpoq” ta ringjalli për ta varrosur përfundimisht duke e detyruar për dorëheqje! Duket se edhe rektori Zejnullahu nuk kishte kondicion për një maratonë të reformave sikur që edhe nuk e gjeti një mënyrë për bashkëpunim konstruktiv me ata që duhej të punonte.
Politikanët që nuk dijnë shkrim – lexim janë varrëmihësit e Universitetit “Hasan Prishtina” dhe duhet bërë përpjekje maksimale t’ua marrim nga duart këtë “ përgjegjësi “! Sepse, çfarë Universiteti kemi, të tillë i kemi politikanët dhe çfarë politikanësh kemi,  të tillë e kemi Universitetin ! Për fat të keq për studentët që studiojnë tani, atyre që do të studiojnë, qytetarëve të Kosovës dhe ardhmërisë së Kosovës.

Për çfarë të drejta të njeriut mund të flasim kur kemi një arsim të tillë?!




 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)