OSBE promovon dialogun ndërmjet komuniteteve përmes arsimimit
Prishtinë, 14 dhjetor - Misioni i OSBE-së në Kosovë organizon sot një konferencë për të promovuar dialogun, mirëkuptimin dhe tolerancën ndërmjet komuniteteve përmes arsimimit.
Pjesëmarrësit do të diskutojnë se si toleranca, mirëkuptimi dhe dialogu ndërmjet komuniteteve në Kosovë mund të përmirësohen përmes aktiviteteve brenda dhe jashtë-kurrikulare, zhvillimit të teksteve shkollore, trajnimit të mësimdhënësve dhe mësimit të gjuhëve të ndryshme.
Konferenca do të shqyrtojë rolin e organizatave të shoqërisë civile dhe mënyrat se si drejtorët e shkollave, mësimdhënësit, drejtorët komunalë të arsimit dhe mekanizmat për promovimin e të drejtave të komuniteteve mund të kontribuojnë më shumë në këtë çështje.
Në konferencë do të dëgjohen edhe perspektivat e organizatave të shoqërisë civile dhe institucioneve për politikat arsimore të zbatuara në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë.
Përfaqësuesit e institucioneve relevante dhe organizatave të shoqërisë civile do të marrin pjesë në konferencë.
Kryesuesi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Ambasadori Jan Braathu, dhe Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, z. Arsim Bajrami do të flasin në këtë ngjarje.