Orientimi i të rinjve në aftësim profesional për t’u përgatitur për treg të punës
Prishtinë, 26 gusht – Ministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit Vlora Dumoshi priti sot në takim Ministrin e Arsimit dhe Shkencës Ramë Likaj.
Ministrat Dumoshi e Likaj gjatë takimit diskutuan për pikat e bashkëpunimit në mes të MKRS dhe MASH-it në projekte të interesit dhe fushave të përbashkëta që dy ministritë mbulojnë, duke veçuar mësimin në vendin e punës, kryerjen e praktikës profesionale të nxënësve si dhe për qendrat e kompetencës të cilat duhen lidhur me qendrat rinore.
Ministrja Dumoshi shprehu gatishmërinë që MKRS-ja ka për bashkëpunim me me MASH-in, sidomos për fushën e rinisë. Ministrja u shpreh përkushtuar të punojnë në çështje të cilat lidhen edhe sipas programit qeveritar që parasheh bashkëpunimin e ministrive në projekte të përbashkëta.
Ministrja theksoi që është shumë e rëndësishme që aftësimi për të rinjtë të ndërlidhet me tregun e punës dhe kështu t’i kontribuohet objektivit së përbashkët të qeverisë për punësimin sa më të madh të të rinjve.
Ministrja Dumoshi e informoi Ministrin Likaj për mbështetjen që MKRS i ka bërë organizatave rinore duke u dalë kështu në ndihmë sidomos për periudhën e pandemisë, për memorandumet e bashkëpunimit me UP-në në fushën e trashëgimisë të cilat integrojnë sferën akademike në rrafshin praktik dhe për gatishmërinë e saj dhe të ministrisë që drejton për orientimin e fondit emergjent në punësim.
Ministri Likaj e falënderoi Ministren Dumoshi për pritjen dhe për gatishmërinë e saj që të thellojnë bashkëpunimin aq më tepër kur këto dy ministri kanë shumë fusha të përbashkëta.
Ndër shumë të tjera Ministri Likaj përmendi qendrat gjithëpërfshirëse rinore ku përfshihet edhe arsimimi profesional dhe qendrat e karrierës në të cilat bashkëpunimi mes dy ministrive është shumë i rëndësishëm.
Ministrja Dumoshi e Ministri Likaj u zotuan që të bashkëpunojnë në të gjitha projektet e përbashkëta që dy ministritë kanë në mënyrë që të bashkërisht të shtyjnë papara objektivat e qeverisë dhe ti kontribuojnë zhvillimit të gjithmbarshëm rinor e arsimor në vend.