ORCA: Vendimi i gjykatës ndaj Admovere, cenzurë absurde
Prishtinë, 12 nëntor - ORCA është e zhgënjyer me vendimin e gjykatësit Adnan Konushevci i cili ka urdhëruar organizatën Admovere dhe Shkëlzen Gashin drejtues të kësaj organizate, që ta tërheqin nga qarkullimi përkohësisht pjesën e raportit që flet për plagjiaturën e Mejdi Bektashit, profesor në Fakultetin Juridik, si dhe i ka urdhëruar që të mos flasin më publikisht për rastin, deri në një vendim tjetër të gjykatës.
ORCA shpreh habinë se si u bë i mundur një vendim i tillë i cili ndalon nga qarkullimi pjesën e raportit e cila i referohet në tërësi një artikulli të gazetës Express të vitit 2007 me titull “Shumë Plagjiaturë”, ndërkohë që ndaj medies në fjalë kurrë nuk është ushtruar padi për këtë rast, ndërkaq për artikullin në fjalë nuk ka asnjë padi apo vendim gjykate se përbën shpifje. Është e pakuptimtë që gjykata ta urdhërojë një organizatë ta tërheqë nga qarkullimi përkohësisht një artikull, burimi i të cilit nuk i nënshtrohet asnjë mase restriktive.
ORCA është e shqetësuar për numrin e madh të gabimeve drejtshkrimore të aktvendimit të gjykatës dhe për joprofesionalizmin përmbajtësor të saj, ndërkaq mbetet e paqartë çka me të vërtetë ka sjellë deri te ky vendim absurd cenzurues.
Vendime të tilla të cenzurës, të cenimit të drejtpërdrejtë të fjalës së lirë, janë të papranueshme dhe ORCA me padurim po e pret vendimin e gjykatës së apelit pas ankesës që do ta ushtrojë Admovere.
Me këtë rast ORCA porositë të gjithë ata që mund të jenë entuziazmuar me idenë se kanë arritur të na heshtin, duke iu bërë të ditur se lufta kundër korrupsionit dhe cenimit të integritetit akademik sapo ka filluar dhe se kjo luftë do të ketë vetëm një fitues: të vërtetën - për të gjitha rastet e plagjiaturave, avancimeve të dyshimta, ngacmimeve seksuale dhe të gjitha formave të tjera të korrupsionit në institucionet publike të vendit tonë.