ORCA: UP dorëhiqet nga transparenca
Prishtinë, 23 gusht - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA), gjatë muajve maj dhe korrik, ka proceduar në Inspektoratin e Arsimit në Ministrinë e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT) dy ankesa lidhur me zgjedhjen e stafit akademik të Universitetit të Prishtinës nga konkursi i fundit.
Në muajin maj, ORCA ka parashtruar ankesën e cila është protokolluar më datë 22.05.2017, me numër 305, lidhur me avancimin e stafit akademik, saktësisht lidhur me 11 raste të së ashtuquajturës “rizgjedhje” të profesorëve në pozitat e caktuara.
Në muajin korrik, ORCA parashtroi ankesën e dytë me 24 emra të tjerë më 13.07.2017, me numër 410, me të njëjtin kontest sikurse në ankesën e parë.
ORCA ka argumentuar në të dy ankesat se zgjedhja e 35 profesorëve në pozitat të cilat ata i kanë pasur përbën shkelje të Statutit të UP-së dhe Ligjit për Arsimin e Lartë, pasi për ta është marrë vendim për “rizgjedhje”, kategori e cila nuk gjendet as në Statutin e UP-së e as në Ligjin për Arsimin e Lartë.
Sot, ORCA është njoftuar nga Inspektorati i Arsimit se Ministria e Arsimit Shkencës dhe teknologjisë ka nisur procedurat formale për paditjen e Universitetit të Prishtinës dhe personave përgjegjës të tij pas refuzimit të universitetit për të kryer obligimin ligjor të bashkëpunimit me Inspektoratin e Arsimit lidhur me rastet e iniciuara nga ORCA.
Në shkresën e MAShT drejtuar gjykatës themelore, ndër të tjera konstatohet se “përkundër kërkesës ligjore përfaqësuesit e UP-së nuk kanë ofruar dokumentacionin e kërkuar pa dhënë asnjë shpjegim”.
Në të njëjtën shkresë precizohet tutje se Sekretari i UP-së zt. Esat Kelmendi është njoftuar edhe “fizikisht me lëndën duke i ripërsëritur kërkesën për inspektim të Organizatës ORCA për të cilën ankesë Kelmendi tha se brenda afatit ligjor do t’i japim një përgjigje e në fakt nuk u dha edhe pas tejkalimit të afatit ligjor për shqyrtimin e ankesave”.
ORCA shpreh indinjatën e thellë ndaj Universitetit të Prishtinës, rektorit zt. Marjan Dema dhe sekretarit zt. Esat Kelmendi për neglizhencën e treguar dhe pret që brenda muajit të marrë sqarim me shkrim për këtë sjellje joserioze institucionale.
ORCA shpreson që kjo shpërfillje nuk përbën një rast personalizimi ngase një praktikë e tillë nuk është ndjekur nga UP në rastet e tjera të drejtuara nga Inspektorati i Arsimit.
ORCA zotohet që të drejtat e përcaktuara me Kushtetutën e Kosovës dhe ligjet në fuqi t’i realizojë me të gjitha format demokratike, pa përjashtim.
ORCA përforcon edhe njëherë pozicionin e saj të zero kompromisit ndaj çdo avancimi ilegal apo ndonjë forme tjetër të punësimit të stafit akademik jomeritor në Universitetin e Prishtinës duke ndjekur çdo rrugë ligjore në dispozicion.