ORCA: Rritet transparenca në Universitetet Publike të Kosovës
Prishtinë, 17 shtator - Në kuadër të hulumtimit që ORCA ka kryer në janar dhe në shtator të vitit 2019, lidhur me transparencën formale institucionale të universiteteve publike, del se brenda pak më shumë se 6 muajsh nga publikimi i parë i pasqyrës së dokumenteve dhe informatave që universitetet duhet t’i kenë në veb faqet e tyre, është shënuar përmirësim i ndjeshëm në shumicën e universiteteve publike.
Në shkurt të vitit 2019, ORCA pati publikuar pasqyrat e transparencës së universiteteve publike ku vërehej një neglizhencë e universiteteve lidhur me publikimin e dokumenteve dhe informatave bazike në veb faqet e tyre të cilat mundësojnë rritjen e transparencës institucionale.
Mirëpo, në Shtator të këtij viti vërehet se kritika publike ka sjellë rezultate të dëshirueshme duke e rritur konsiderueshëm angazhimin e universiteteve për transparencë formale institucionale.
Universiteti me më së shumti përmirësime është Universiteti i Gjakovës i cili nga 15 dokumente sa i ka pasur të publikuara në janar 2019, ka publikuar 21 në shtator 2019. Ai përcillet nga Universiteti i Gjilanit i cili ka pasur 19 dokumente të publikuara në janar 2019, ndërsa tash ka 23.
Në muajin janar 2019, nga 27 dokumente dhe informata të pritura universitetet kishin publikuar si vijon:
Universiteti i Prishtinës 24, Universiteti i Pejës 21, Universiteti i Mitrovicës 20, Universiteti i Gjilanit 19, Universiteti i Prizrenit 18, Universiteti i Gjakovës 15, Universiteti i Ferizajt 8.
Në muajin shtator 2019, nga 27 dokumente dhe informata të pritura universitetet kishin publikuar si vijon:
Universiteti i Prishtinës 24, Universiteti i Pejës 23, Universiteti i Mitrovicës 22, Universiteti i Gjilanit 23, Universiteti i Prizrenit 19, Universiteti i Gjakovës 21, Universiteti i Ferizajt 8.
ORCA mbetet e përkushtuar në kërkesën për transparencë dhe llogaridhënie të universiteteve publike si dhe do t’ju ofrojë asistencë atyre për arritje e transparencës së plotë.