22 Dhjetor 2024

ORCA: Rritet transparenca në Universitetet Publike

Prishtinë, 30 tetor - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) sot ka publikuar raportin “Transparenca dhe llogaridhënia në universitetet publike të Kosovës: (Mos)informimi i publikut”, përmes të cilit për herë të katërt është bërë matja e transparencës formale të shtatë universiteteve publike në vendin tonë.

Sipas matjeve tona, universitetet publike janë përmirësuar në publikimin e dokumenteve dhe informatave rreth funksionimit të tyre.

Universiteti i Prishtinës është universiteti më transparent, nga 24 dokumente sa i kishte në shkurt të vitit 2019, pas katër matjesh periodike dhe kritikave publike për mungesën e tyre, tani i ka të publikuara të gjitha dhe është bërë institucioni më transparent i arsimit të lartë në Republikën e Kosovës.

Ndërkaq, Universiteti i Ferizajt, që ende ka numrin më të vogël të publikimit të dokumenteve dhe informatave publike, ka arritur ta dyfishojë numrin e publikimeve, nga 8 sa i kishte në shkurt të vitit 2019, në 16 në tetor të vitit 2020.

Përmirësim të theksuar ka edhe Universiteti i Gjakovës, i cili në shkurt të vitit 2019 kishte 15, ndërsa tash ka 25 dokumente dhe informata që janë të nevojshme për transparencë institucionale.

Edhe 4 universitetet tjera, i Prizrenit, i Pejës, i Gjilanit dhe i Mitrovicës kanë shënuar përmirësime dhe kjo shënon rritjen e transparencës në nivel nacional të universiteteve publike.

Që nga hera e parë kur është bërë publikimi i raportit të këtij hulumtimi, të gjitha universitetet kanë shënuar përmirësime dhe mund të themi që transparenca është në rritje.

ORCA mbetet e shqetësuar me mospublikimin e buxheteve nga ana e universiteteve publike. Aktualisht informata rreth shpenzimit të buxhetit i kanë të publikuara katër universitete: i Prishtinës, i Pejës, i Mitrovicës dhe i Gjakovës. Ndërsa nuk i kanë të publikuara ai i Prizrenit, i Gjilanit dhe i Ferizajt.

Pavarësisht se ka informata të publikuara nga katër universitete, problemi qëndron tek fakti se buxhetet e publikuara nuk i kanë të gjitha detajet e nevojshme dhe informatat janë gjysmake apo të përgjithshme.

ORCA do të vazhdojë me matjet e transparencës së universiteteve publike për arsye se publikimi i këtyre të dhënave është më se i rëndësishëm.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)