ORCA përgëzon profesorët e avancuar në konkursin e fundit
Prishtinë, 15 gusht - Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim - ORCA përgjatë muajve të fundit është marrë me verifikimin e procesit të avancimeve të profesorëve të Universitetit të Prishtinës sa i përket publikimeve shkencore të kërkuara nga Statuti për avancim.
Deri tani ORCA ka bërë një sërë reagimesh publike për procesin si negative përmes ankesave të dërguara në Inspektoratin e Arsimit, ashtu edhe pozitive duke lavdëruar publikisht meritorët. Në vazhdën e tyre është edhe aksioni i sotëm.
"Sot ORCA paraqet 12 raste të profesorëve të rregullt të avancuar të cilët kanë qenë meritorë sa i përket numrit të publikimeve shkencore që në këtë rast është 5. Këto raste kanë marrë rekomandim pozitiv nga analizat e ORCA-s e po ashtu janë zgjedhur në titujt e rekomanduar nga Senati i UP-së", thuhet në një komunikatë të kësaj organizate.
ORCA me këtë rast përmbyllë aktivitetin e saj lidhur me avancimet nga konkursi i fundit dhe përgëzon ata që kanë fituar thirrjet e reja në bazë të meritave sa i përket numrit të publikimeve shkencore dhe aspekteve të tjera që ORCA ka mundur t’i verifikojë.
"Është e nevojshme që edhe shoqëria në tërësi të tregohet korrekte duke njohur përpjekjen e këtyre profesorëve të cilët po ruajnë minimumin e cilësisë në universitetin më të madh në vend", thuhet në komunikatë.
Në vijim janë emrat e profesorëve të rregullt meritorë për sa i përket numrit të publikimeve shkencore: Visar Morina, Avdullah Hoti, Eda Vula, Blerim Kamberi, Fehmi Zeqiri, Vjollca Sahatçiu-Meka, Enver Hamiti, Ymer Mekaj, Fatbardh Gashi, Fatmir Faiku, Hasan Ahmeti, dhe Shpend Elezi .