22 Dhjetor 2024

ORCA mbështet UP-në në vazhdimin e reformave

Prishtinë, 6 nëntor - Sot ORCA ka zhvilluar takimin e parë formal me Rektorin e institucionit më të madh e më cilësor në Kosovë, Universitetin e Prishtinës. Kjo vizitë nuk është e rastësishme, por një vizitë e qëllimshme, me mesazh të qartë e të fortë të përkrahjes së ORCA-s për vazhdimin e reformave të premtuara në UP.

ORCA është takuar me Rektorin Prof. Dr. Naser Sahiti, rektorin e parë të zgjedhur pa asnjë kontestim publik të zgjedhjes së tij, në një proces të monitoruar nga shoqëria civile. Është rektori i parë pas një kohe të gjatë, përmbush vet kushtet për titullin që mban sipas numrit të publikimeve shkencore. Është rektori i parë që në ekipin e tij të prorektorëve ka 3 gra, gjë që na bënë shpresëmirë për adresimin e çështjes së barazisë gjinore dhe parandalimit të ngacmimeve në Universitetin tonë. Prorektorët po ashtu përmbushin kriteret formale të numrit të publikimeve shkencore për të justifikuar titujt akademikë që kanë.

Në gjetjet e fundit të hulumtimit të ORCA-s, Universiteti i Prishtinës është edhe institucioni më transparent i arsimit të lartë në vend, një meritë kjo e menaxhmentit të kaluar por e cila duhet të avancohet nga Rektori aktual dhe ekipi i tij. 

Takimi u zhvillua në një atmosferë të mirë të korrektësisë e profesionalizmit duke i rikujtuar njëri tjetrit detyrimet që kemi ndaj publikut dhe qëllimit tonë të përbashkët: për avancimin e mëtutjeshëm të cilësisë në Arsimin e Lartë. 

ORCA dhe rektori janë zotuar që do të ruajnë gjithmonë korrektësinë dhe profesionalizmin për të adresuar së bashku te njëri tjetri çkado që konsiderojmë interes të universitetit e si rrjedhim interes të qytetarëve të vendit. 

Në këtë frymë ORCA ka siguruar që do ta promovojë kurdoherë çdo arritje pozitive të universitetit, sikundër që do të adresojë publikisht kritikat e saj për dukuritë negative të tij përmes hulumtimeve dhe aktiviteteve të tjera të saj; do të ofrojë kapacitetet e veta profesionale e financiare në marrjen e ekspertizave të jashtme për të adresuar çështjet që lidhen me integritetin akademik apo aspekte tjera që lidhen me cilësinë e mësimit në UP; do të vazhdojë monitorimin në sa më shumë organe universitare për t’u siguruar që proceset akademike do të ruajnë standardin e tanishëm apo edhe ta avancojnë atë.

Ndërkohë që Universiteti i Prishtinës siguroi përfaqësuesit e ORCAs dhe palët tjera të interesuara për zhvillimet brenda këtij institucioni që do jetë bashkëpunues në rritjen e mëtutjeshme të transparencës për publikun kosovar duke vazhduar komunikimin e mirë me OJQ-të dhe mediet me qëllim të rritjes së llogaridhënies ndaj publikut; do të konsultojë pa detyrime kontraktuale të gjithë palët e interesuara me qëllim gjithpërfshirjen së publikut në proceset e veta si universiteti më i madh publik në vend; Universiteti i Prishtinës do të angazhohet për të promovuar praktikat më të mira të proceseve akademike që lidhen me titujt akademikë dhe dhënien e mundësive për përfshirje në hulumtime dhe publikime shkencore të të gjithë stafit akademik, nëpërmjet mekanizmave tashmë ekzistues por edhe nëpërmjet zhvillimit dhe shfrytëzimit të mekanizmave të rinj.

Takimi u zhvillua në një frymë konstruktive, me përfundimin e përbashkët që dalja nga kriza, ekonomike, politike e shoqërore e vendit tonë është nëpër një derë të vetme, nëpër derën e Universitetit të Prishtinës.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)