ORCA kundër fjalimit të kryetarit të PDK-së në përvjetorin e UP-së
Prishtinë, 15 shkurt - Organizata për rritjen e cilësisë në arsim (ORCA) ka ndjekur ceremoninë e organizuar për përvjetorin e 49-të të Universitetit të Prishtinës.
Në këtë ceremoni ka marrë pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht dhe kryetari i kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.
ORCA kundërshton praninë dhe fjalën e Kadri Veseli në ceremoninë e organizuar për përvjetorin e UP-së.
Në asnjë protokoll dhe logjikë të menduar Veseli sipas ORCA-se nuk i takon fjala në një ceremoni të tillë.
"Ne i bëjmë thirrje Rektorit, i cili ka qenë pjesë e listave të PDK-së në zgjedhjet nacionale, që të mos vazhdojë të sillet si kandidat i PDK-së në zgjedhje, por si një Rektor i një institucioni autonom arsimor", thekson ORCA.
ORCA ia rikujton Rektorit se garanca për vazhdimin e mandatit të tij deri në fund nuk buron nga PDK, por nga zbatimi me përpikëri i Statutit të UP-së dhe dispozitave të tjera ligjore në fuqi.
Në të kundërtën sipas ORCA flirtimet e tilla me partitë në pushtet mund të rezultojnë në situata të vitit 2014, kur një paraardhës i tij ishte detyruar të jepte dorëheqje ndonëse e kishte përkrahjen e partisë me të cilën po flirton Rektori sot.