ORCA kërkon që të ndalen presionet në Agjencinë e Akreditimit
Në tryezë u tha se mungesa e infrastrukturës ligjore po vazhdon ta cenojë pavarësinë e këtyre institucioneve.
Ushtruesi i detyrës së drejtorit të AKA-së, Shkëlzen Gërxhaliu tha se agjencia po përballet me mungesën e stafit, mungesën e databazave të cilat do t’ua lehtësonin punën, si dhe me ndërhyrjet të kohëpaskohshme të cilat sipas tij, nuk po i ndihmojnë procesit të akreditimit të programeve dhe institucioneve.
Anëtarja e KShC-së, Rozafa Koliqi deklaroi se ndërhyrjet në këshill kanë qenë publike dhe se konsideron se ato janë presion i drejtpërdrejtë në punën e tyre, duke u bërë thirrje veçanërisht ambasadorëve që të qëndrojnë larg Këshillit Shtetëror të Cilësisë.
E pranishme në këtë tryezë ishte edhe ish-kryetarja e KShC-së, Ferdije Zhushi, sipas të cilës, anëtarët e KShC-së duhet t’u rezistojnë ndërhyrjeve në punën e tyre, çfarëdo qofshin ato.
Ndërkohë që drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci përmendi rastin e arrestimit të Henri Çili, pronarit të universitetit privat UET në Shqipëri, i cili ka lëshuar doktorata për vite të tëra, të cilat kanë akredituar shumë programe të kolegjeve private në Kosovë. Andaj sipas Gjinovcit, bizneset private në arsimin e lartë duhet të ndalohen me ligj.
ORCA do të vazhdojë monitorimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë ndërsa përmes QAINT do të ofrohet mbështetje për Agjencinë e Kosovës për Akreditim.