ORCA kërkon përjashtimin e dy profesorëve nga UP
Prishtinë, 1 tetor - Në qershor të këtij viti, ORCA ka denoncuar dy profesorë të Fakultetit Filozofik Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin për dyshime të bazuara se kanë përdorur një punim me elemente të theksuara të plagjiaturës për t’u avancuar në grada akademike.
Punimi: “DIPLOMACY THROUGH THE AGES OF HISTORY: THEORETICAL ANALYSES OF THE CONCEPT” i cili ka autorë Bujar Dugollin dhe Ardian Kastratin u ka shërbyer profesorëve për t’u avancuar në titujt akademik brenda Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Në konkursin për zgjedhjen e personelit akademik në Fakultetin Filozofik në Universitetin e Prishtinës në vitin 2018, Bujar Dugolli përmes punimit të cekur më lartë është avancuar nga titulli profesor i asocuar në profesor të rregullt, ndërsa një vit më vonë, në vitin 2019 Ardian Kastrati përmes të të njëjtit punim është avancuar nga titulli asistent në profesor asistent.
Ky punim, shumicën e përmbajtjes së tij e ka të kopjuar nga burime të tjera duke mos i cituar këto të fundit, gjë kjo që përbën vjedhje dhe mashtrim akademik. Vjedhje sepse profesorët e kanë paraqitur komplet punimin si punë origjinale e tyre, dhe mashtrim ngase e kanë përdorur atë për përfitime personale duke shkelur çdo normë të etikës akademike dhe ndershmërisë intelektuale.
Që nga momenti i denoncimit në qershor të këtij viti, ORCA kishte kërkuar nga organet udhëheqëse të Universitetit të Prishtinës të iniciojnë procedurat për verifikimin e këtyre dëshmive dhe si rrjedhojë të merren masa në përputhje me Rregulloren për Masa dhe Procedura Disiplinore.
Por, meqë këto organe nuk e kanë bërë asnjë lëvizje të vetme në këtë drejtim, përgjatë këtyre muajve, ORCA ka përgatitur një dosje me dëshmi të mjaftueshëm për ta dokumentuar plagjiaturën e profesorëve dhe sot i është drejtuar Këshillit të Etikës të UP-së, organ ky që është përgjegjës për verifikimin dhe ndëshkimin e shkeljeve të tilla të cilat cenojnë integritetit dhe ndershmërinë intelektuale të universitetit. Ne presim që ky organ ta shqyrtojë dokumentacionin e ofruar dhe të vërtetojë se dy profesorët Bujar Dugolli dhe Ardian Kastrati kanë kryer shkelje të rënda nga Kodi i Etikës, Statuti i UP-së dhe nga Rregullorja për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës;
Si rrjedhojë, Këshilli i Etikës duhet të rekomandojë që: 1)Të merret masa disiplinore për ndërprerje të marrëdhënies së punës së profesorëve konform nenit 8, nënparagrafi 1.10 të Rregullores për masat dhe procedurat disiplinore ndaj personelit akademik të Universitetit të Prishtinës dhe 2) T’i rekomandojë Senatit që të përjashtojë revistën “ANALELE UNIVERSITATII DIN CRAIOVA-SERIA ISTORIE”, nga lista e revistave të pranueshme për avancim, meqenëse revista në fjalë lejoi që të publikohet punimi i cili ka përmbajtje të plagjiaturës.
Më 1 tetor të 1997 studentët në Kosovë protestonin për çlirimin e hapësirave universitare të uzurpuara nga regjimi i Millosheviçit, sot në po të njëjtën datë, pas 24 vitesh, protestojmë dhe angazhohemi për cilësi dhe integritet brenda këtyre hapësirave, duke denoncuar çdo lloj shkelje dhe manipulimi që cenon dinjitetin e universitetit.