ORCA: Ka përmirësim në avancimet akademike
Prishtinë, 4 shtator - Sot, ORCA ka prezantuar një analizë zgjedhjen e personelit akademik mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës 2018.
Në këtë analizë janë hulumtuar 199 kandidatë në Universitetin e Prishtinës të rekomanduar pozitivisht nga komisionet vlerësuese në fakultetet përkatëse. Nga 199 kandidatët e shqyrtuar nga ORCA, 153 plotësojnë kriteret për t’u zgjedhur, rizgjedhur ose avancuar si staf akademik. Në përqindje kjo shprehet në 77%. Vitin e kaluar kjo përqindje ka qenë 45%, që tregon një përmirësim të dukshëm në përmbushjen e kritereve ekzistuese.
Kjo situatë vjen edhe si rrjedhojë e precizimit të kritereve përmes Udhëzimit Administrativ 01/2018 të MAShT Nr. 07/2018, si dhe Rregullores Nr. 465 Për Procedurat Përzgjedhëse të UP-së.
ORCA konsideron se me gjithë përmirësimet e shënuara, mënyra ekzistuese e emërimit, riemërimit dhe avancimit të stafit lë shumë hapësirë për interpretime, korrupsion të formave të ndryshme, nepotizëm, klientelizëm.
Një mënyrë për ta bërë procesin transparent dhe meritokratik është themelimi i një autoriteti qendror me pjesëmarrje ndërkombëtare që verifikon, unifikon dhe jep titujt akademikë.
Për më shumë, mund të lexoni analizën e plotë: http://orca-ks.org/wp-content/uploads/2018/09/Analiza-e-konkursit-per-zgjedhjen-e-personelit-akademik-ne-UP-2018.pdf