ORCA dhe Qëndresa Qytetare kundër plagjiaturës së përbashkuar
Prishtinë, 28 shtator - Sot u mbajt aksioni protestues në Prishtinë dhe Tiranë para ambasadave të Kosovës dhe Shqipërisë, me ç’rast organizata nga Shqipëria “Qëndresa Qytetare” dhe organizata nga Kosova “ORCA” denoncuan publikisht ministrat plagjiatorë të arsimit në Shqipëri dhe Kosovë, Ramë Likajn e Evis Kushin.
Rron Gjinovci nga ORCA, tha se plagjiatura është vjedhje, hajni e pronës intelektuale së dikujt, andaj plagjiatori është hajdut, hajn që ka vjedhur nga tjetri.
“Fatkeqësisht, ministrat shqiptarë të arsimit në Kosovë dhe Shqipëri janë autorë punimesh që përbëjnë plagjiaturë. Në krye të arsimit shqiptar qëndrojnë Ramë Likaj dhe Evis Kushi të cilët janë akuzuar nga akterë të shoqërisë civile dhe media për plagjiaturë, ndërkaq asnjëherë nuk kanë sqaruar nga ana e tyre çështjen e integritetit të tyre akademik."
"Të pasurit në krye të arsimit plagjiatorë si Likaj e Kushi përbënë papërgjegjshmërinë më të madhe të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës pasur parasysh situatën e arsimit në Kosovë e Shqipëri”, tha ai.
Tutje Gjinovci theksoi se testi PISA vazhdon të tregojë se nxënësit nga Kosova dhe Shqipëria janë nën mesataren e arritjes në nivel global dhe përveç në shkenca ekzakte dhe në matematikë, edhe në të lexuar nxënësit shqiptarë të Kosovës dhe Shqipërisë janë nën mesatare.
“E kur jemi te arsimi i lartë dhe shkenca Kosova dhe Shqipëria kanë mesataren më të dobët të prodhimit shkencor në rajon. Madje edhe Mali i Zi me rreth 600 mijë banorë arrijnë të prodhojë punime shkencore sa Shqipëria e Kosova bashkë. Me këtë situatë, më e pakta që u duhet shqiptarëve është që ministrat t’i kenë plagjiatorë. Për më tepër bashkimi i tyre siç pritet të ndodhë në takimin e 2 qeverive, nuk i bën as nder as favor arsimit, përkundrazi bashkon plagjiatorët, u jep zemër atyre dhe i bënë më të fortë, ndërkohë që janë përgjegjësit kryesorë për gjendjen e mjerueshme të arsimit në vendet tona”, shtoi Gjinovci.
Ndërkohë Qëndresa Qytetare si organizatë e shoqërisë civile në Shqipëri dhe Organizata për Rritjen e Cilësisë në Arsim (ORCA) në Kosovë, ftuan qytetarët e Kosovës dhe Shqipërisë të përbashkohen, siç na fton himni kombëtar, kësaj radhe kundër plagjiaturës.
“Rinia e Kosovës dhe Shqipërisë duhet të bashkohen kundër çdo lloj vjedhje, kundër çdo lloj gënjeshtre, të kujtdo dhe secilit, për të marrë pozicion të qartë pro emancipimit shoqëror dhe kombëtar. Bashkimi nëpër parada flamujsh e kostumesh super të shtrenjta të qeveritarëve nuk i duhet kombit shqiptar."
"Shqiptarëve u duhet bashkimi kundër korrupsionit, kundër hajnisë, kundër gënjeshtrave publike edhe kundër plagjiaturës, për një komb të lirë, të barabartë e të emancipuar siç e kanë dashur e projektuar ideatorët e tij”, vazhdoi tutje drejtori i ORCA-s.
E krejt në fund, u zbulua himni i ri kombëtar që i dedikohet arsimit dhe integritetit të tij.
“Kundër plagjiaturës të përbashkuar
Me një dëshirë e një qëllim,
Të gjithë ne jemi betuar
Ta lidhim besën për arsim.
Prej lufte veç ai largohet
Që i pushtetit është shërbëtor
Kush luftën bën e nuk dorëzohet
Synon një komb arsimor.
Në dorë pankartat do t'i mbajmë
Ta mbrojmë dijen në çdo kënd,
Të drejtat tona ne s'i ndajmë
plagjiatorëve s'u lëmë vend.
Se Zoti vet e tha me gojë
Që kombet shuhen përmbi dhe
Kur arsimin ta drejtojë,
Plagjiatori që do ta luftojmë ne.”