Operacioni “Vreshtat” demaskon revistën mashtruese
Prishtinë, 14 shtator - ORCA për një kohë të gjatë ka luftuar me vendosmëri për integritet akademik në Universitetin e Prishtinës e sidomos kundër revistave të dyshimta të cilat kanë cënuar rëndë shkencën dhe jetën akademike, jo vetëm në Kosovë por në botën mbarë.
Me gjithë përpjekjet e ORCA-s, Ministrisë së Arsimit dhe vet Universitetit të Prishtinës për të përcaktuar rregulla dhe parime, prap se prap përgjatë hulumtimeve tona kemi vërejtur se një pjesë e profesorëve të UP-së janë aq të zhdërvjelltë në dallavere sa gjejnë revista që plotësojnë formalisht rregullat ndërkohë që revistat në fjalë ushtrojnë praktika mashtruese.
Javë më parë ORCA ka ngritur çështjen e supermenëve të Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike të cilët i kanë zbuluar dy revista shkencore nëpër të cilat disa nga profesorët kanë publikuar nga 18 e 19 punime brenda një viti e gjysmë. Ndërkohë që mesatarja për profesorët norvegjezë është 0.96 punime në vit, pra më pak se një punim brenda vitit.
Duke e parë këtë situatë ORCA dhe bashkëpunëtorët e saj kanë nisur një operacion për demaskim të revistave të dyshimta që formalisht i plotësojnë rregullat. Operacioni “Vreshtat” arriti të demaskonte revistën International Journal of Pharmaceutical Sciences Review and Research në të cilën kemi dërguar një punim pa asnjë vlerë shkencore me autor (fiktiv) Dr. Rrush Kalaveshin, nga Universiteti (inekzistent) i Ranillukut, punim i cili është publikuar.
Menjëherë pas publikimit disa nga mediet kanë raportuar për rastin, ndërkohë që ne i kemi kërkuar Senatit të marrë masa dhe ta fus në listë të revistave të dyshimta revistën në fjalë. Në mbledhjen e së hënës që shkoi, Senati i UP-së për herë të parë ka marrë një vendim për futjen në listë të revistave të dyshimta revistën në fjalë dhe për më tepër nuk i ka avancuar profesorët që kanë pasur punime të publikuara në atë revistë.
Në mesin e këtyre profesorëve është Ilir Shehu i cili nuk është mjaftuar me skandalin në të cilin tashmë është përfshirë. Ai i ka dërguar një email revistës duke paraqitur veten si prodekan pa qenë i tillë sipas veb faqes së UP-së. Ai në vend se t’i shkruante revistës për t’i kërkuar llogari për mashtrimin, është munduar që ta fsheh rastin duke e shantazhuar revistën e duke i kërkuar që punimin e Dr. Rrush Kalaveshit ta heq nga faqja e vet dhe madje duke kërkuar fletpagesën bankare për ta kuptuar se kush fshihet pas këtij shkrimi.
Me një anglishte të tmerrshme përplot me gabime, gjë e cila ngritë edhe çështjen se si ky person ka publikuar deri tash, ai i jep ultimatum revistës mashtruese që ta heq punimin e Dr. Kalaveshit ashtu që UP ti kthehet paqes artificiale të mashtrimeve e dallavereve.
ORCA me të mbledhur dëshmitë e nevojshme ka deponuar sot në Këshillin e Etikës njoftimin për shkeljet disiplinore që Ilir Shehu tashmë i ka kryer duke komunikuar me palë të tjera në emër të Fakultetit rrejshëm, duke u paraqitur në funksione që ai nuk i ka dhe për më tepër duke sfiduar vendimin e Senatit për ta futur në listë të revistave të dyshimtë revistën në fjalë.
Ilir Shehu është në kundërshtim flagrant me nenin 6, 14 dhe 15 të Kodit të Etikës ku parashihen shkeljet e rënda disiplinore dhe parimet e përgjithshme të përgjegjësive akademike e shkencore të stafit akademik. Prandaj ne kërkojmë të merren masa urgjente ndaj tij.
Ndërkohë, ORCA njofton publikun se kushdo që përpiqet ta minojë rrugën e integritetit akademik që institucionet si MAShT, Senati i UP-së, Menahmenti i UP-së dhe shoqëria civile po mundohen ta shtrojnë, ORCA do të jetë aty për t’i diskredituar përpjekjet e tyre dhe për t’i luftuar aktivisht ato përpjekje, me të gjitha format.