23 Dhjetor 2024

Nxënësit shqiptar në Heidelberg festuan 100 vjetorin e Shqipërisë

Shkruar nga Shqipe Gara-Berisha


Heidelberg, 29 dhjetor - Një ditë e ftohtë vjeshte, temperatura nën zero e gjeti shkollën tonë në atmosferë të ngrohtë festive.

Si çdokund në botë ku jetojnë shqiptarët, ashtu edhe nxënësit e shkollës shqipe „Dituria“ në Heidelberg, Schwetzingen dhe Neulußheim kishin përgatitur një program të larmishëm për nderë të 100 vjetorit të shtetit shqiptar.

Në hyrje të shkollës ndjehej ngrohtësia e gjakut të shqiptarit, e kuqe si ajo e flamurit. Dëgjohej të flitej gjuha e mirë dhe e bukur shqipe.

Ajo, e cila vinte e përcjellur me tingujt e një melodie të veçantë, që shkëlqen si rreze dielli, të freskon si valë deti, të ëmbëlson si mjalti, vjen e lirë sikurse shqiponja dykrenare në flamur, i cila sot valvitet e lirë në çdo cep të globit ku ka gjak shqiptari. Në koridorin e shkollës kishte gjallëri.

Ca nxënës të emocionuar përsëritnin materialin që do prezantonin para publikut artdashës, ca lodronin, ca luanin me njëri-tjetrin, disa prej tyre ishin ulur pranë tavolinës dhe shkëmbenin aventurat e ditës që tashmë po errësohej.

A ka gjë më të bukur, më tërheqëse, më argëtuese sesa të jesh në mesin e atyre që burojnë nga e njëjta rrënjë, përkulen dhe i këndojnë të njëjtit flamur,  flasin të njëjtën gjuhë dhe e çmojnë si margaritar. Sa kënaqësi të jesh ne mesin e shqipfolësve edhe pse me mijëra kilometra larg atdheut.

Këtë kënaqësi kishim ne që do të paraqiteshim me programin festiv, poashtu dhe mysafirët. Ata që e mbushën sallën e zbukuruar me flamuj, balona kuq e zi  dhe afishe kushtuar 100 vjetorit të krijimit të shtetit shqiptar. Prindërit e nxënësve ishin përkujdesur që ngjyra kuq e zi të dominonte në çdo cep të sallës, ashtu siç dominonin edhe nxënësit me veshje të bukura kombëtare.

Akti i shpalljes së pavarësisë ishte ai që hapi programin. Ninulla dhe djepi ishin ato që zotëronte Brikenë Berisha e shoqëruar nga Laura Beqiri në rolin e Marigonës, Djellëza, Leonora, Donjeta, Albina etj. të cilat me kujdes qëndisnin flamurin.

 Endrit Velija si Ismail Qemali u paraqit në mënyrë të shkëlqyeshme i përcjellur nga Mentor Selimi, i cili me përkushtim kishte marrë rolin e Luigj Gurakuqit. 

Madje edhe mustaqet, kostumet e tyre përkonin me vitet 1912. Bashkëpunëtorët e tij ishin Floriani, Tregimi, Kujtimi, Fatlumi etj. Më pas Isë Boletini erdhi në Vlorë dhe u përkul para flamurit me ndihmën e Blegin Berishës, i cili mjaft mirë e luajti këtë rol.

Pas tij të gjithë nxënësit radhazi me dashuri dhe respekt u përkulën dhe përqafuan flamurin, duke pasuar  intonimi me zemër i himnit  në shenjë respekti  për të gjithë dëshmorët, të cilët u flijuan në mënyrë që ne sot të festojmë të lirë dhe të jemi krenarë për ta.

Aty ku valon një flamur kuq e zi, aty ku flitet shqip, e ku ninullat këndohen shqip, e në ballë të oxhakut është plisi i bardhë, mu aty gjen historinë tonë, e cila na solli edhe një ditë të veçant për ta shënuar.

Me fjalën e rastit u paraqit aktivisti dhe veprimtari i njohur Halit Berisha. Ai ndër të tjera citoi: „Secili nga ne duhet të ndihet fatlum që ka prekur ëndrrën e shumë gjeneratave që sakrifikuan dhe u flijuan për këtë ditë. Viteve që do vijnë pas, nderimi dhe respekti për ata që ranë për liri do të jetë i pafund e ne nuk do të rrimë fjetur në ditёlidjet e pёrkujtimet e dëshmorëve tё cilёt jetërat e tyre i bënё themel të këtij shteti.“

Kishim nderin që edhe kësaj radhe në mesin tonë të kemi zëvendës konsullin Imer Lladrovci së bashku me familje. Ai përshëndeti të pranishmit dhe në pika të shkurtëra elaboroi historinë e popullit shqiptar ndër shekuj.

Me modesti programin e prezantuan nxënëset: Laura Beqiri dhe Blerta Pantina.
„Me vite jam larguar i dashur atdhe, por kurrë s’të kam harruar se i ëmbël je“. I ëmbël ishte edhe zëri i më të voglës së shkollës shqipe Auresa Zhegrova, e cila recitoi këto vargje të bukura dhe mallëngjyese.

Ndërsa Florian Selimi ashtu si vet Naim Frashëri me mjaft dashuri përcolli tek publiku  vargjet për gjuhën tonë të bekuar.

“Një shekull dritë” ishte titulluar poezia e Gonxhe Begishollit, të cilën e recituan dy vajzat e saj si dy yje plot shkëlqim, Donika dhe Rita. Tingujt e çiftelive të Tregim dhe Kujtim Ramaj e bënë për vete publikun dhe ngjallën emocionet e muzikës folklorike. Iu bashkangjit grupi i nxënësve me refrenin e njohur „ Shqipërinë e dua se jam shqiptar, Kosovën e dua se jam kosovar“.

Më pas kaluam tek modernja me tingujt e këngës „Shqipëri o, vendi im“ kënduar dhe intrepretuar  me mjaft sukses nga Brikenë (flautë), Bledar (kitarë) dhe Blegin Berisha(piano).

Këngët „ O, trima luftëtarë“ dhe „Kënga e flamurit“ u realizuan nga grupi i nxënësve nën dirigjimin e mësuesit të muzikës Luan Zabërgja, i cili qysh nga fillimi dha mbështetjen dhe përkrahjen e tij maksimale.

Me pjesën e shkurtër skenike „Shokët e idealit” i kënaqën prindërit dhe mysafirët: Arian & Brikena Halilaj dhe Fatlind Rexhepi. Aty nga fundi i kësaj pjese, me vargjet „O, sa mirë me qenë shqiptar“  grupi i aktorëve të vegjël u mbështet edhe nga Argëtim e Andi Zabërgja.

Nga duartrokitjet e publikut shpeshherë u ndërpre Djellëza Sadrija gjersa recitonte vargjet e Gjergj Fishtës „Gjuha shqipe“, e përcjellur me tingujt e flautës së Brikenë Berishës. Sa ndjenjë e bukur  kur dëgjon këta fëmijë të shqiptojnë fjalët rrjedhshëm në gjuhën e nënës. Edhe pse të lindur në mërgim me zemër dhe shpirt ndjejnë se janë afër atdheut. Këtë e dëshmuan vëlla e motër Gentrit dhe Gentrina Bytyqi me vargjet „ O, atdhe më je i dashur sa më s’ka…..“ 

Ndërsa „Nëntori buzëqesh“  siç buzëqeshi dhe interpretoi e sigurt  e me një zë kumbues Albina Xheladini. 

Në mesin e nxënësve vërehej një vajzë me veshje gjakovare. Ishte kjo Olsa Sylaj, e cila dallohej  në grup jo vetëm me kostumin, por edhe  me sigurinë e saj gjatë prezantimit të këngëve dhe valleve.

Flamurtarë  të palodhur gjatë gjithë kohës sa zgjati programi, qëndruan si burra dy djem të pashëm, sypetritë, krenarë si shqiponja me dykrerë, e cila valonte në flamujt e dy shokëve Gentrit Zhegrova dhe Fisnik Rexha.

“O, malet e Shqipërisë” ishte poezia me të cilën u paraqitën tre kushërinjtë çapkënë: Andi, Ermir dhe Gentrit Zabërgja. Në një atmospferë të këndshme festive, programi vazhdoi me poezinë “Rrënjë arbërore” nga motër e vëlla Albina dhe Adonis Hajdari. Mesazhin e mirësisë, për të cilën kemi shumë nevojë në ditët e sotme, e përcolli tek publiku i përkushtuar Ariana Halilaj. Radha i erdhi edhe poezisë “Tomori” të interpretuar nga Leonora Zhegrova.

“Gjithçka të shumtë ai e pati, të vetmen kish veç Shqipërinë”, janë këto vargjet e Ismail Kadaresë kushtuar heroit tonë Gjergj Kastrioti Skënderbeu, me të cilat u paraqitën binjakët Tregim dhe Kujtim Ramaj. U dallaun me recitalin “Unë jam shqiptar e shkuar shqiptarit” Endrit Velija, Mentor Selimi, Brikenë-, Bledar- dhe Blegin Berisha.

Shkolla jonë gjithmonë  u ka ofruar mundësinë edhe fëmijëve që nuk ndjekin mësimet në shkollën shqipe, por kanë dëshirë të na bashkangjiten në festa të tilla.

Kësaj radhe nga Eberbachu u paraqitën binjakët Fortesë dhe Betim Neziri me poezinë “Urime dita e flamurit” si dhe motra e tyre Tradita me një pjesë baleti.
Programi I shkollës u përmbyll me një valle popullore, në të cilën u përfshinë pothuajse të gjithë nxënësit.  Për 100-vjetorin e mëvetësisë së Shqipërisë, nxënësit përveç programit artistik, kishin përgatitur edhe një ekspozitë.

Vizatimet më të bukura u shpërblyen nga donatori Halit Berisha. Vlerësimi i jurisë së përbërë nga Besa Neziri, Selvete Terstena dhe Hasan Zekaj i takoi Brikenë Berishës, ndërsa çmimet mbi nivelin e cikleve i fituan: Florian Selimi(kl. II), Gentrit Zhegrova(kl. VI) dhe Alisa Goçi(kl. VIII).

Kësaj radhe në mbështetje të shkollës shqipe nga Sinsheimi me muzikë të mirëfilltë shqipe, këngë kushtuar festës së flamurit na argëtuan vëllezërit Mrijaj me motrën Klaudia.

Kurse nënat dhe motrat tona duararta e të vyeshme kishin përgatitur ushqime të shijshme tradicionale, të cilat begatuan tavolinat e stolisura kuq e zi.
Ishte kjo një ditë e veçantë për të gjithë ne dhe si të tillë do ta përcjellim në tërë brezat pas nesh.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)