Nxënësit pastrojnë qytetin e Mitrovicës
Mitrovicë, 14 shkurt - Drejtoria e Arsimit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit në Komunën e Mitrovicës, të premten kanë organizuar një aktivitet me nxënësit e shkollave fillore për pastrimin e qytetit.
Ky aktivitet ka filluar nga objekti i Komunës së Mitrovicës dhe ka përshkruar të gjitha pjesët e qytetit.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Mitrovicës, Ajmane Berani, tha se kjo nismë ka dy qëllime, e para është që nxënësit të jenë pjesë e punës vullnetare dhe e dyta që qyteti të jetë më i pastër me rastin e kremtimit të gjashtë vjetorit të Pavarësisë së Kosovës.
Këtë aktivitet e kemi organizuar që së pari nxënësit të vetëdijesohen që të jenë pjesë e punës vullnetare, si dhe qyteti të jetë sa më i pastër për festen e pavarësisë, ka thënë ajo.
Ajo shtoi se kjo drejtori edhe në të ardhmen do të ketë aktivitete të cilat do të ndikojnë në rritjen e vetëdijes së nxënëseve sa i përket ruajtjes së ambientit.