26 Dhjetor 2024

Nxënësit njoftohen me luftën kundër korrupsionit

Prishtinë, 4 mars - Komuna e Prishtinës në bashkëpunim me UNDP organizoi diskutim të hapur me shkollat e mesme të Prishtinës me temë “Lufta kundër korrupsionit dhe roli i policisë dhe prokurorisë”.

Në fillim të këtij takimi me nxënësit, drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit, znj. Arbërie Nagavci tha se i vjen mirë që nxënësit kanë shprehur interesim kaq të madh në një temë kaq të ndjeshme dhe shqetësuese për të gjithë si shoqëri, siç është lufta kundër korrupsionit.

“Ky aktivitet është ndërmarrë në bashkëpunim me UNDP – në dhe për qëllim ka vetëdijesimin e nxënësve të shkollave të mesme për edukimin kundër korrupsionit. Sot të pranishëm janë përfaqësues të prokurorisë së shtetit dhe policisë së Kosovës, ndërsa në të ardhmen do të kemi edhe përfaqësues të gjykatave.\"

\"Përfaqësuesit e këtyre institucioneve do të flasin për mekanizmat dhe instrumentet se si funksionojnë, ndërsa Drejtoria Komunale e Arsimit ka për qëllim që të promovojë, jo vetëm bashkëpunimin, por që edhe fëmijët tanë të vetëdijesohen që secili prej nesh duhet të kontribuojë për një vend sa më të mirë, ngaqë sa më me ndershmëri dhe përgjegjësi që i kryejmë gjithsecili punët tona, aq më i fortë do të jetë edhe shteti ynë”, tha Nagavci.

Ndërsa, zv/përfaqësuesja e UNDP – së, znj. Alessandra Roccasalvo, tha se korrupsioni është problem madhor në Kosovë, i cili është duke e penguar zhvillimin e Kosovës. Ajo u shpreh se UNDP për vite të tëra ka bashkëpunuar me të gjitha institucionet, OJQ-të dhe vetë qytetaret që të ketë një ndikim pozitiv në zvogëlimin e nivelit të korrupsionit në Kosovë.

“Bazuar në punën tonë (Pulsi Publik dhe vlerësimi i rrezikut nga korrupsioni në sektorin e arsimit), edukimi si sektor ka predispozita të medha për korrupsion. Kjo iniciative është pilotuar për herë të parë në Komunën e Prishtinës, me Drejtorinë Komunale të Arsimit dhe do të vazhdohet edhe me komunat e tjera”, tha Roccasalvo.

Gjatë kësaj ligjërate, nxënësit patën rastin të informohen më konkretisht lidhur me rolin dhe përgjegjësitë e Prokurorisë së Shtetit dhe Policisë së Kosovës. Për përfaqësuesit e këtyre dy institucioneve ata patën pyetje të shumta, nga më të ndryshmet.

Në pyetjet se cilat forma të korrupsionit janë më të përhapura, zyrtarët e pranishëm thanë se më të shprehura janë rastet e shpërdorimit të detyrës zyrtare.

Nxënësit e shkollës “Model” ishin të shqetësuar edhe me raportimet e mediave të cilat, siç u thanë ata, në vazhdimësi kritikohet puna e prokurorisë dhe policisë si joefikase, si dhe u ankuan se kanë qenë dëshmitarë të rasteve kur policia vonohet në thirrjet e qytetarëve që kërkojnë ndihmë nga ky insitutcion.

Nga ana tjetër, përfaqësuesi i Policisë së Kosovës, Mentor Cakolli tha se policia është angazhuar që përmes ligjëratave t’i vetëdijesojmë nxënësit në raport me fenomenet e ndryshme negative dhe se në kuadër të policisë funksionon edhe Departamenti për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit.

Elez Blakaj i njoftoi nxënësit e pranishëm për rolin e prokurorisë dhe mekanizmat për raportim të korrupsionit. Duke shtjelluar raste të caktuara, ai tha se në parim nuk mjaftojnë vetëm dyshimet edhe kur ato janë të mirëbazuara, ngaqë gjykatës për të marrë një vendim i duhen provat konkrete dhe ky është një proces më i ngadalshëm që kërkon kohë.

Por, ai u shpreh se me rëndësi është që të gjithë nxënësit të njihen me hallkat e drejtësisë dhe me mënyrën se si funksionon shteti.

Në këtë diskutim morën pjesë maturantët dhe nxënësit e klasave të XII – ta, ndërsa ishin përzgjedhur nxënës nga të gjitha shkollat e Komunës së Prishtinës.

Kjo iniciativë është pjesë e aktiviteteve të Support to Anti – Corruption Efforts in Kosovo (SAEK),  për të mbështetur Komunën e Prishtinës në implementimin e rekomandimeve të dala nga Plani i Integritetit

SAEK është një projekt tre vjeçar për kundër-korrupsion i financuar nga Agjencioni Zviceran për Zhvillim dhe Bashkëpunim.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)