23 Dhjetor 2024

Nxënësit në SHBA projektojnë qytete të së ardhmes

Washington, 3 mars - Ç\'pamje do të kenë qytetet e së ardhmes? Kjo ishte tema e konkursit vjetor të 40 mijë nxënësve të klasave të shtata dhe të teta nga 1,350 shkolla në gjithë Shtetet e Bashkuara, për projektimin e hapësirave urbane të së ardhmes. 37 ekipe u paraqitën në finale dhe erdhën në Washington D.C. për të mbrojtur idetë e tyre para jurisë.
 
Konkursi vjetor ka për qëllim orientimin e të rinjve në fushat e shkencës dhe teknologjisë. Ai sponsorizohet nga një grup shoqatash profesioniste dhe teknike, si dhe nga disa korporata amerikane.
 
Studentët ndërtojnë makete në madhësinë e një tavoline me materiale të riciklueshme që nuk kushtojnë më shumë se 100 dollarë. Ekipet duhet të shkruajnë ese për zgjidhjet e tyre, të shpjegojnë idetë para publikut dhe t’u përgjigjen pyetjeve që u bën juria prej gjashtë anëtarësh.
 
Gregory Bentley, Shef ekzekutiv i Bentley Systems Incorporated, një nga sponsorizuesit më të mëdhenj të konkursit, thotë se tema e këtij viti ishte transporti urban, një çështje që po merr rëndësi gjithnjë e më të madhe për qytetet e botës.
 
“Mendoj se tani në Shtetet e Bashkuara kemi brezin e parë që ka vendosur të mos e bëjë makinën pjesë të jetës së tij”.
 
Nxënësit e klasës së tetë nga shteti i Xhorxhias, David Straub, Katherine Barri dhe Rebecca North, ndërtuan një nga qytetet më futuriste. David thotë se ata parashikojnë që transporti publik të krijojë lehtësi dhe të jetë miqësor për mjedisin.
 
“Ky është një sistem i ri që mbështetet në frekuencën magnetike, që do t’u lejojë njerëzve të lëvizin nëpër fushat magnetike”.
 
Leila Mezza, Oha Hassan dhe Mousa Seid nga Hjustoni i Teksasit ndërtuan një qytet brazilian të vitit 2084, ku transporti bëhet me makina elektrike.
 
“Këto garazhe kanë celula fotovoltaike dhe kur makinat tona parkohen aty, ato ngarkohen me energjinë që u duhet për më vonë”.
 
George Bentley thotë se konkursi për “Qytetin e të ardhmes” është i 22-ti dhe është përqendruar qëllimisht tek adoleshentët.
 
“Sepse në atë moshë, në Shtetet e Bashkuara ata duhet të studjojnë lëndën e matematikës, matematikën e avancuar. Nëse nuk e studjojnë në atë moshë, ata nuk do të bëhen kurrë inxhinierë”.
 
Çmimin e parë prej 7500 dollarësh e mori shkolla St. John Lutheran në Miçigan. Anëtarët e ekipit fituan një udhëtim për në kampin amerikan të hapësirës.
 
Edhe po të mos kishin fituar, përvoja e punës në një projekt inxhinierik i ka inkurajuar shumë prej fëmijëve të mendojnë për karierën e tyre në shkencë dhe teknologji. Një prej tyre është Eric Swyler nga Nju Meksiko.
 
“Dua të bëhem shkencëtar, por nuk e di ende se në cilën fushë”.
 
Eric-u nuk ka pse shqetësohet, ai ka shumë kohë për të vendosur.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)