Nxënësit garuan me biçikleta për vetëdijesimin për siguri në rrugë
Prishtinë, 18 qershor - Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MAShT), në bashkëpunim me ShLP Tempulli Forumi Siguria në Rrugë, kanë organizuar gara me biçikletë me nxënës të shkollave fillore të mesme të ulëta nga të gjitha komunat e Kosovës.
Manifestimi qendror u mbajt në hapësira të kazermës Adem Jashari në Prishtinë , ku ishin prezent edhe zyrtarë të lartë MAShT-it, Ministrisë së Forcës së Sigurisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme, nxënës , prindër e qytetarë.
Pjesëmarrës aktiv në garë ishin nxënës të 25 shkollave të përzgjedhura nga MAShT, të cilët demonstruan shkathtësitë e tyre në ngasjen e biçikletës, duke respektuar shenjat e komunikacionit.
Qëllimi i kësaj gare ishte vetëdijesimi i nxënësve, por edhe i qytetarëve për kujdesin dhe sigurinë në rrugë.
Xhavit Dakaj, sekretar i përgjithshëm në MAShT, ka falënderuar të gjithë pjesëmarrësit e organizimit të kësaj ngjarje, e cila u organizua për herë të parë pas luftës në Kosovë dhe shtoi se gara të ngjashme janë zhvilluar gjatë muajve të fundit në qendra tjera të Kosovës.
Është një ditë e mbarë, sepse për herë të parë pas luftës mbahet një organizim i tillë që ka për qëllim vetëdijesimin e nxënësve, por edhe të qytetarëve për sigurinë në komunikacion. Ky lloj aktiviteti, praktikisht, është më i pranueshëm dhe më atraktiv për memorizimin e rregullave të komunikacionit dhe shtimin e kujdesit e të sigurisë së nxënësve në rrugë, tha z Dakaj.
Të pranishmit i përshëndeti edhe nënkolonel Enver Dugolli (FSK) si dhe kolonel, Sheremet Ahmeti (MPB). Ndërkaq, Muhamet Krasniqi,Drejtor i Tempullit, foli për rëndësinë e edukimit të nxënësve në shkollë lidhur me rregullat e komunikacionit.