Nxënësit e Shkollës së Gjelbër vizituan MMPH-në
Prishtinë, 10 nëntor - Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Ferid Agani, ka pritur të martën një grup nxënësish nga Shkolla e Gjelbër, të cilët i njoftoi më punën që bëhet në këtë institucion.
Fëmijën e veshur në të gjelbër, fillimisht vizituan ekspozitën e vizatimeve të fëmijëve nga rajoni i Prishtinës, të quajtur Qyteti im, shtëpia ime, kushtuar Ditës Botërore të Qyteteve, duke vazhduar në Institutin e Planifikimit Hapësinor dhe Departamentin e Banimit.
Ministri Agani, i mirëpriti filloristët dhe i ftoi ata të bashkohen në projektet vullnetare që kanë për qëllim mbrojtjen dhe përmirësimin e mjedisit ku jetojmë dhe veprojmë, duke shtuar se janë të angazhuar që ëndrra e tyre për një qytet të bukur dhe të pastër të bëhet realitet.
Nxënësit u shprehën të lumtur që iu është dhënë mundësia për tu njohur më për së afërmi me punën që bëhet ne institucionet e Republikës së Kosovës, ndërsa u dakorduan që në çdo projekt të ministrisë që ka për qëllim mbrojtjen e mjedisit të bashkohen dhe të japin kontributin e tyre.