Nxënës dhe mësues nga Turqia e vizitojnë Kosovën
Prishtinë, 23 prill - Me ftesë të Ministrisë së Diasporës, nga sot deri më, 28 prill, në Kosovë do të qëndrojë një grup i mësimdhënësve dhe nxënësve të diasporës sonë në Turqi.
Të gjithë nxënësit dhe mësuesit e tyre i takojnë familjeve që ndër të parat janë shpërngulur nga Kosova në Turqi. Ata janë nga qyteti dhe nga rrethina e Stambollit, e Bafrës, e Adanës, etj.
Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, nxënësit dhe mësues do të vizitojnë monumente kulturore dhe historike në vende dhe në qytete të ndryshme të Kosovës, si Prishtinën, Prekazin, Skenderajn, Gjakovën, Prizrenin, Mamushën, Shpellën e Gadimes, Gjilanin, Zhegren e Gjilanit etj.
Delegacioni i nxënësve dhe mësuesve nga Turqia do të pritet në takime të veçanta në Ministrinë e Diasporës, në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe të Teknologjisë, në Ambasadën e Turqisë në Prishtinë dhe në drejtoritë komunale të arsimit të Prishtinës, të Skenderajt, të Gjakovës, të Prizrenit, të Mamushës dhe të Gjilanit.
Qëllimi i vizitës është që nxënësit dhe mësuesit të njihen me atdheun e të parëve të tyre, ti thellojnë njohuritë e tyre për historinë, kulturën dhe për gjeografinë e Kosovës, si dhe të njihen e të krijojnë marrëdhënie bashkëpunimi me moshatarët e tyre nga Kosova.